Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, ish kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Ambasada Ruse në Tiranë i ka drejtuar vendit një letër kërcënuese dhe ofenduese.

Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se po hesht ndaj këtij kërcënimi.

“Dua të dënoj këtu letrën kërcënuese të ambasadës ruse në Tiranë drejtuar Shqipërisë dhe dua të theksoj se letra është një fyerje dhe kërcënim për çdo shqiptar dhe është rrjedhojë e kapitullimit të argatit të Beogradit në Tiranë, Ramës. Para një shantazhi primitiv, të paprecedentë me të cilin përballet Europa, sot, Rusia tejkalon si forcë e të keqes çdo forcë në kërcënim që ka njohur historia. Kërcënon të përdorë armë bërthamore kundër vendeve të lira, të pushtojë një vend fqinj. Të përpiqet të shkatërrojë NATO-n dhe vendi i vetëm që ka heshtur si fija e barit ndaj këtij shantazhi është një vend anëtar i NATO-s. Parlamenti duhet me urgjencë të votojë një rezolutë ku të shprehë solidaritetin me Ukrainën”, tha ai.

Por deklarata e tij erdhi pasi mori fjalën për replikë. Kjo solli edhe një ndërhyrje të nënkryetares së Kuvendit Ermonela Felaj e cila i kërkoi Berishës të ulej dhe të priste radhën!

Top Channel