“Ju pretendoni se Presidenti nuk ka shkelur Kushtetutën”, 70 pyetjet e trupës gjykuese, Dervishaj kërkon 48 orë kohë për t’u përgjigjur

03/02/2022 12:49

Në Gjykatën Kushtetuese prej orës 10:00 po vijon seanca e shqyrtimit të kërkesës për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra si President i Republikës së Shqipërisë.

Këshilltari ligjor i Presidentit, z.Bledar Dervishaj parashtroi disa argumente në mbrojtje të kreut të shtetit, duke theksuar faktin se Kuvendi ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe rregulloren, çka sipas tij, e bën këtë proces krejt të pavlefshëm.

Nga ana tjetër, trupa gjykuese, pasi ka dëgjuar argumentet e palës mbrojtëse, ka përgatitur disa pyetje për përfaqësuesit ligjor të Presidentit dhe përmes tyre kërkojnë të sqarojnë një sërë çështjesh që sipas tyre janë të vlefshme për t’i ardhur në ndihmë kësaj seance.

Fjala është për rreth 70 pyetje, disa prej të cilave vijojnë më poshtë, për të cilat z.Dervishaj kërkoi 48 orë kohë për t’u përgjigjur.

Papajorgji:  4 muajt e fundit Kuvendi s’mund të ngrejë komisione hetimore. Nuk mendoni se duhet të përdoret ndonjë formulim tjetër në këtë pikë të nenit?

Ka ndonjë kufizim tjetër për Kuvendin qoftë edhe në periudhën fundore të mandatit të tij?

Në lidhje me pretendimin tjetër që keni ngritur për mosmarrëveshjen kushtetuese dhe kërkoni ndërhyrjen e gjykatës për zgjidhjen e saj. Mendoni se mënyra e ngritjes së kësaj mosmarrëveshje është e duhura?

Neni 90 pika 2 e kushtetutës parashikon togfjalëshin “shkelje e rëndë e Kushtetutës”. Ju thatë s’ka asnjë fakt apo dispozitë për shkelje të K…ju pretendoni se s’ka lidhje fare shkelje të Kushtetutës, apo s’ka shkelje të rëndë të saj?

Elsa Toska: Ju kërkoni shfuqizimin e vendimeve të Kuvendit, duke u marrë vetëm me anën proceduriale, por nuk merreni me përmbajtjen. Përse ky qëndrim i juaji?

Presidenti gjatë periudhë zgjedhore ka krijuar një platformë “denonco zgjedhjen”. Mund të na thoni nëse ka praktika të ngjashme nga presidentët e mëparshëm? A mendoni ju që ky portal mbivendosje të kompetencave të institucioneve?

Presidenti është subjekt i pakushtëzuar që mund të vërë në lëvizje Kushtetutën. Për një nga vendimet që GJK ka dhënë vjet. Meta reagoi me shkresë për gjyqtarët kushtetues. Pyetja është si e kupton presidenti rolin e tij si subjekt i pakushtëzuar dhe si e sheh ai rolin e gjyqtarit kushtetues?

Pse zgjodhi presidenti i Republikës të shkojë fizikisht në selinë e një partie politike?

Me çfarë lloj metodologjie mund të matet rritja apo ulja e autoritetit si përfaqësues i unitetit të popullit? Cilat do të ishin ata parametra që mund të na bënin ne që përmes disa akteve apo qëndrimeve autoriteti i presidentit është rritur dhe nuk është ulur?

Ju mbi çfarë parametrash do ta vlerësonit institucionin e Presidentit nëse me të njëjta sjellje dhe qëndrime për të cilat Kuvendi e ka shkarkuar, presidentit nuk i është ulur autoriteti, por i është rritur?

Xhaferrllari: Rëndësia që ka procedura në këtë lloj procesi? Do doja qëndrimin mbi këtë çështje duke marrë në konsideratë pretendimin tuaj për urgjencën me të cilën u veprua?

Në prapësimet tuaja jeni ndalur te procedura por nuk jeni zgjeruar tek faktet. Me konfirmoni nëse e kam kuptuar drejt që ju pretendoni se faktet janë të paplota?

Një nga shkeljet që është lidhur me rolin e Metës është marrëdhënie e tij me institucionet e pavarura, ku janë treguar një seri veprimesh të presidentit. A keni pasur ju kundërpërgjigje nga këto organe të pavarura, qoftë me shkrim apo ndonjë ankesë ose kallëzim për ndërhyrje në institucionet e pavarura?

Çfarë specifike ka parimi i vazhdimësisë institucionale nga njëra legjislature tek tjetra?

Një procedurë për shkarkim e presidentit mund të bazohet tek shkelja e rëndë e Kushtetutës apo edhe kryerjes së krimit të rëndë. Qëndrojnë, veç e veç, apo të dyja së bashku?

Një nga shkeljet është ajo e formulës së betimit. A keni koment për këtë?

Presidenti nuk mund të jetë anëtar partie. Cili është qëllimi sipas jush?

Do doja rëndësinë që ka legjitimiteti në këtë proces?

Altin Binaj: Pretendoni se është cenuar e drejta për tu dëgjuar e Presidentit. Çfarë natyre në vlerësimin e Presidentit ka kjo shkelje në të gjithë procedurën. Është thelbësore?

Për fazat e tjera të funksionimit të Komisionit Hetimor dhe marrja e vendimit nga Kuvendi. Ka qenë koha e mjaftueshme për Metën dhe përse nuk e shfrytëzoi për tu dëgjuar?

A ishte e mjaftueshme mbrojtja me përfaqësuesit e tij apo duhet të paraqitej personalisht?

Në lidhje me pjesën përmbajtësore të vendimit. Por këtu mund të vazhdojmë nëse pohohet vërtetësia e thënieve të Presidentit në media?

A pranon Presidenti që ka fyerje ndaj personave publikë apo e kundërshton këtë fakt?

Lidhur me situatën e krizës, e vlerësuar prej tij, ju thatë që Meta ka bërë përpjekje për të adresuar problemet. Në kushtet që presidenti ka këto shqetësime dhe vendos ti bëjë të ditura publikisht. A ka detyrimin të jetë i përmbajtur në reagimet publike?

Top Channel