Vëmendja e gjithë botës është drejtuar tek presidenti rus Vladimir Putin, i cili ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës.
Ekspertët thonë se Presidenti Putin mund ta ketë vënë veten në një pozicion të vështirë në përpjekje për ta forcuar ndikimin e Rusisë në botë.
Pas disa javë heshtjeje, Presidenti rus Vladimir Putin bëri komentet e tij të para për Ukrainën, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për tensionet në rritje.
“Objektivi i tyre (Shteteve të Bashkuara) më i rëndësishëm është që të frenojnë Rusinë. Në këtë kuptim, Ukraina është vetëm një mjet për të arritur këtë qëllim. Kjo mund të bëhet në mënyra të ndryshme, përfshirë duke na tërhequr në një konflikt të armatosur”, tha Presidenti Putin.
Por ekspertët vënë në dukje se është zoti Putin ai që dislokoi mbi 100,000 trupa ruse në kufi me Ukrainën, në Krime dhe Bjellorusi, për t’i bërë trysni NATO-s të tërheqë disa nga forcat e saj nga Evropa Lindore dhe të premtojë se nuk do ta anëtarësojë kurrë Ukrainën.
Ish-analisti ushtarak i CIA-s, Jeffrey Edmonds thotë se me këtë grumbullim ushtarak, zoti Putin e ka vënë veten në një pozitë të vështirë.
“Kërkesat e tij janë maksimaliste dhe ai e di që Perëndimi nuk mund t’i plotësojë. Ne nuk do ta kthejmë infrastrukturën e NATO-s në nivelet e 1997-ës, siç është një nga kërkesat e tyre. Kështu që mendoj se ai është në pritje të kushteve të duhura që trupat në kufirin e Ukrainës të ndërmarrin veprime ushtarake”, thotë ai.
Presidenti Joe Biden thotë se ai dhe zoti Putin “e kuptojnë njëri-tjetrin”. Por zoti Biden ka thënë gjithashtu se beson se presidenti rus po planifikon të pushtojë Ukrainën. Disa ekspertë thonë se zoti Putin kërkon të sigurohet që Rusia të shihet si faktor kryesor në skenën botërore.
Angela Stent është autore e librit, “Bota e Putinit”.
“Dhe ai beson se pjesa tjetër e botës duhet ta trajtojë Rusinë sikur të ishte Bashkimi Sovjetik. Ai nuk dëshiron të rikthejë Bashkimin Sovjetik, por dëshiron që Rusia të trajtohet si një fuqi e madhe, pikëpamjet e së cilës respektohen dhe së cilës njerëzit ia kanë frikën dhe të pranojnë se është e drejta e Rusisë të ketë sferën e saj të ndikimit mes fqinjëve të saj”, thotë ajo.
Disa ekspertë thonë se ka të ngjarë, që zoti Putin e sheh Ukrainën lindore, të përfshirë në konflikt që pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, si pjesë të Rusisë.
“Unë mendoj se zoti Putin mund ta pranojë që Ukraina perëndimore është vërtet ukrainase dhe ndoshta i përket botës kulturore dhe politike evropiane. Por në sytë e tij, Ukraina lindore është si një lloj vazhdimi i Rusisë”, thotë Michael Kimmage i Fondit Gjerman Marshall.
Por ajo që e frikëson më shumë zotin Putin, janë pakënaqësitë brenda Rusisë, thotë Bill Browder, – themelues i Fushatës Globale Magnitsky për Drejtësi.
“Gjendja e qytetarëve të zakonshëm rusë është shumë më e keqe sesa kur ai u bë president për herë të parë dhe përgjegjësia është e gjitha e tij. Kështu që ai po përdor një strategji të zakonshme për diktatorët: kur njerëzit zemërohen me ty, drejtoje zemërimin e tyre diku tjetër. Fillo një luftë”, thotë ai.
Gjatë fjalimit të tij të Vitit të Ri drejtuar kombit, zoti Putin nuk i përmendi goditjet e gjera ndaj kritikëve të tij. Kundërshtari i tij më i njohur, Alexey Navalny, u burgos një vit më parë, pasi i mbijetoi një përpjekjeje për ta helmuar./ VOA
Top Channel