Policia greke ka arrestuar të mërkurën autorin e dyshuar të vrasjes së një 19-vjeçari dy ditë më parë në Selanik.

Lajmi është bërë me dije nga ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Takis Theodhorikakos, i cili tha se autori i dyshuar është një 23-vjeçar me kombësi shqiptare. Sipas medias greke ai quhet Afksendos Carciu.

Theodhorikakos tregoi se 23-vjeçari shqiptar ishte shoqëruar së bashku me tre persona të tjerë pak pas ekzekutimit të 19-vjeçarit, Alqis Kambanou, dhe pasi u mor në pyetje, i dyshuari pranoi se ka qenë ai personi që ka goditur viktimën me shkelma dhe një drapër, duke i shkaktuar kështu vdekjen.

Mësohet se autori i dyshuar i kësaj vrasje ishte identifikuar nga miqtë e 19-vjeçarit dhe sipas të cilëve, ai ndodhej mes grupit të personave që sulmuan tifozët e ekipit të “Aris”, të kryeqendrës së veriut të Greqisë.

Ndërkohë, pamjet e sigurisë të një biznesi aty afër, kanë fiksuar imazhin e tij duke sulmuar viktimën.

23-vjeçari është dënuar edhe më parë për sulm të dhunshëm dhe njihet si person tepër agresiv në rrethin e huliganëve të ekipeve greke të sportit.

Ai pritet të dërgohet në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë.

Top Channel