Lajcak: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk nënkupton një “Republica Srpska”

02/02/2022 09:36

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk nënkupton një “Republica Srpska” në Kosovë, sipas emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajcak.

Gjatë konferencës për media që përmbylli edhe vizitën e tij në Kosovë, ai u shpreh se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk i imponohet asnjë marrëveshje për të cilën nuk dakordohet. “Kosova është palë e barabartë në dialog, Kosova ka 50% të të drejtës së fjalës që nënkupton se asgjë nuk mund t’i imponohet pa marrëveshje. E dëgjoj shpesh që thuhet se nuk e duam një republikë të dytë serbe, besoj se e kemi bërë shumë të qartë se askush nuk e do një republikë të dytë serbe në Kosovë”, është shprehur emisari evropian.

Derisa, emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sa I përket asociacionit u shpreh se ekzistojnë modele që mund të diskutohen. “Ajo çka kam thënë kur kam deklaruar se ekzistojnë modele të ndryshme për krijimin e asociacionit është se ekzistojnë modele që nuk dëmtojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës”, deklaroi Escobar.

Lajcak po ashtu tha se zgjedhjet presidenciale të 3 prillit në Serbi do të kenë impakt në procesin e dialogut. “Kemi pasur diskutime fillestar, por nuk është pjesë e dialogut. Pra, nuk ka marrëveshje që aranzhon mbajtjen e zgjedhjeve, por s’ka pikë dyshimi se çfarëdo vendimi të merret me zgjedhjet e tre prillit do të ketë ndikim në procesin e dialogut”, tha Lajcak. Tutje shtoi se vendimi për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë i takojnë institucioneve kosovare.

Top Channel