Autoriteti i Konkurrencës shkarkon drejtorin juridik pas intervistës në Top Channel për çështjen e hetimit në tregun e miellit

02/02/2022 11:15

Autoriteti i Konkurrencës ka ndëshkuar me shkarkim nga puna drejtorin e Drejtorisë Juridike, Integrimit dhe Çështjeve Gjyqësore, Indrit Reka, pasi denoncoi në “Top Channel” marrëveshjen mes kompanive të miellit për monopolizimin e tregut dhe fiksimin e çmimit.

Me 30 shtator të vitit 2021, Reka rrëfeu në një intervistë për Top Channel se si pesë kompani kishin monopolizuar tregun e miellit dhe megjithatë ato arritën t’i shpëtonin gjobës prej 5 milionë euro falë votës së tre anëtarëve të “Konkurrencës”, të cilët deklaruan se nuk ka prova të mjaftueshme që rritja e çmimit të bukës të jetë bërë nga importuesit.

Pasi Reka doli me 30 shtator 2021 në televizionin “Top Channel”, Sekretarja e Përgjithshme e Autoritetit të Konkurrencës Diana Dërvishi ka urdhëruar ngritjen e një komisioni për ndëshkimin e Indrit Rekës.

Komisioni Disiplinor përbëhej nga vetë Diana Dervishi, kryetare dhe anëtarët Thoma Koleka, Daniela Laze, Dhurata Skënderi dhe Anisa Buxheli.

Më 24 janar 2022, Komisioni i vendosur për të shkarkuar nga detyra Indrit Rekën, duke arsyetuar vendimin e shkarkimit, komisioni ndër të tjera, thekson se z.Indrit Reka, jashtë detyrave funksionale si Drejtor i Drejtorisë Juridike, Integrimit dhe Çështjeve Gjyqësore ka dhënë intervistë për televizionin Top Channel për çështjen e hetimit në tregun e miellit.

Komisioni Disiplinor i ngritur ndaj tij e ka konsideruar intervistën e dhënë për televizionin Top Channel një shkelje të rëndë dhe që duhet ndëshkuar me largim nga puna. Sipas këtij komisioni, Reka nuk ka zbatuar dispozitat ligjore për përmbushjen e detyrave dhe ka shpërndarë fakte të pavërteta mbi vendimmarrjen e anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës, duke cenuar rëndë imazhin e këtij institucioni.

Më 29 shtator 2021, Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimin e thelluar për tregun e importit të grurit, prodhimit dhe tregtimit të miellit pa asnjë gjobë.

Top Channel