“Vishu me trashëgimi”/ Ekspozitë në muzeun arkeologjik të Durrësit

01/02/2022 15:29

”Vishu me trashëgimi” është ekspozita më e fundit e çelur në ambientet e muzeut arkeologjik të Durrësit.

Një bashkëpunim mes qendrës muzeore të Durrësit dhe asaj të Beratit sjell përmes fotove pjesë të trashëgimisë së pasur kulturore të qytetit të Beratit. Një koleksion veshjesh dhe elementesh etnografike që të joshin me elegancën e tyre në çdo detaj. Jo pa qëllim, ekspozita ka udhëtuar drejt Durrësit. Lidhjet mes dy qyteteve datojnë shumë herët dhe janë forcuar veçanërisht në kohë të vështira për banorët e tyre.

“Që në 1200 kur ra tërmeti i fuqishëm në qytetin e Durrësit. Një pjesë e komunitetit erdhi në Berat dhe në 1500 ra një tjetër tërmet i fuqishëm në qytetin e Beratit dhe komuniteti i Durrësit u kthye në Durrës e bashkë me të edhe një pjesë e atij të Beratit. Është shumë interesante kjo lëvizje mes Durrësit dhe Beratit, sepse në atë periudhë ato kanë qenë qendra shumë të rëndësishme tregtare dhe Berati edhe qendër zejtare. Gjysma e dytë e shek. XIX kur bie pashallëku i Ahmet Kurpashës dhe Berati bëhet pjesë e pashallëkut të Janinës pjesa më e madhe e tregtarëve berates shkojnë në Durrës, atje ku gëlonte tregtia dhe kjo u intensifikua në fillim të shek. XX”, tha Gladiola Caka, specialiste e Muzeut Etnografik Berat.

Fotografitë me artefakte mbi 200 vjeçare, që i përkasin muzeut etnografik të Beratit, janë shijuar nga vizitorët në muze. Eni Abazi është nga Berati dhe së bashku me dy vajzat e saj po e shijon shumë këtë trashëgimi të qytetit të lindjes që sot ka udhëtuar në qytetin ku ajo jeton me familjen.

“Gocë Berati lind dhe ngelesh. Nuk bëhesh asnjëherë durrsake dhe pse Durrësi është shumë i bukur, Berati është në zemër dhe ngelet aty. E di si ndjehem në Durrës? Sikur jam gjithnjë me pushime”, u shpreh Eni Abazi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 11 shkurt, si pjesë e një programi edukimi dhe krenarie kombëtare përmes kulturës dhe vlerave të trashëguara.

Top Channel