PD sulmon koalicionin “Shtëpia e Lirisë”: Simbolizon korrupsionin

01/02/2022 12:44

Partia Demokratike këtë të martë reagoi pas zyrtarizimit të marrëveshjes së koalicionit mes Komisionit të Rithemelimit dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), që do të garojnë së bashku në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, në gjashtë bashki të vendit.

Partia Demokratike e drejtuar nga kreu aktual Lulzim Basha e konsideron një koalcion të tillë si “partia e vjetër Meta-Berisha-Rama” dhe sipas të cilës, “simbolizon korrupsionin, politikën e vjetër, lajmet e rreme e dezinformimin”.

Në një deklaratë për mediat, PD thotë se partia e vjetër “Meta-Berisha-Rama” ka dy qëllime:

  1. Të dëmtojë PD-në dhe demokratët.

2.Të bëhet strehë mbrojtëse për Metën dhe Berishën.

Kandidimi në Dibër i bashkëshortit të prokurores që mbrojti bandën e Edi Ramës, duke mos hetuar dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, është provokim i rëndë për çdo demokrat dibran që masakrën zgjedhore e provuan të parët në 2016”, thotë PD.

Sipas saj, Premtim Kryemadhi mund të jetë kushëriri i Monika Kryemadhit, mund të jetë edhe bashkëshorti i prokurores që mbrojti dhe shpëtoi nga burgu Edi Ramën dhe bandën e tij, por me PD-në dhe demokratët nuk ka asnjë lidhje.

Kandidimi i tij shpjegon më së miri edhe komunikimin privat të Flamur Nokës dhe Ulsi Manjës. Kandidatin e koalicionit “Non-Grata” e kanë zgjedhur bashkërisht. Ulsi Manja, nëse bashkëshortja e kandidatit të Flamur Nokës në Dibër do të zbatonte ligjin dhe do hetonte dosjen 184, do ishte në burg dhe jo në krye të Ministrisë së Drejtësisë”, citohet nga deklarata e PD-së.

Lëvizja Socialiste për Integrim dorëzoi sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e lirisë” në zgjedhje e 6 marsit. Pjesë e koalicionit do të jetë LSI, PD e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës.

Në marrëveshjen e nënshkruar mes Sali Berishës dhe kryetares së LSI, Monika Kryemadhi thuhet se Komisioni i Rithemelimit do të jetë drejtuese politike e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’, ndërsa LSI do të jetë udhëheqësja e koalicionit.

Komisioni i Rithemelimit përmbylli procesin e primareve për zgjedhjen e kandidatëve të lokaleve të 6 marsit, më 30 janar.

Rezultati i parë i dalë nga votimet, ka qenë ai i Vorës, ku 332 persona kanë votuar në tërësi. Fitues ka dalë Lulzim Vrana, me 277 vota pro. Rivali i tij në garë, Luan Gani, ka marrë 55 vota. Kryetari i Komisionit vendor të votimit dhe numërimit, Agron Marku, ishte ai i cili ka shpalosur edhe rezultatin e votimeve.

Në Dibër është shpallur fitues kandidati Premtim Kryemadhi, me 424 vota të marra prej 713 që ishin në total. Dy kandidatët e tjerë, Behar Dema dhe Dafina Muda, kanë marrë respektivisht 158 dhe 121 vota. Dhjetë vota ndërkohë, kanë qenë të pavlefshme.

Durrësi ka parë fitues kandidatin Ardjan Muka, i cili ka marrë 1 mijë e 546 vota. Përballë tij ishte Silvja Gjepali, e cila nuk ka shkuar më shumë se 373 vota. Në këtë bashki, ka pasur 11 vota të pavlefshme.

Për Bashkinë e Rrogozhinës, personi më i votuar ka qenë Hekuran Xhani, me 211 vota. Kështu, ai do të jetë garues i Komisionit të Rithemelimit në zgjedhjet lokale të 6 marsit. Kandidatët e tjerë kanë marrë numër më të ulët votash, ku më i afërti ka qenë Sokol Gosa, me 70 të tilla. Eqerem Deliu mori 23 vota, Vladimir Manushi shtatë dhe Hajrulla Tafa, tre të tilla.

Bashkia e Lushnjës do të ketë për kandidat nga lëvizja e Berishës Elton Banon, i cili mori 671 vota në primare. Mes katër kandidatësh, Bano ka arritur të sigurojë më shumë se gjysmën e votave. Arben Zaimi mori 240 të tilla, Erion Iljazi 49 dhe Indrit Qerimi, 92.

Bardh Spahia, do të kompletojë listën e Berishës, pasi ka rezultuar fitues në procesin e zhvilluar në Shkodër.

Kështu, gjashtë kandidatët e Komisionit të Rithemelimit, do të kenë tashmë një muaj kohë, për të zhvilluar fushatën e tyre në rrethet përkatëse.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA