Moti i keq në verilindje e juglindje/ Dëbora krijoi pengesa në qarkun e Korçës dhe Kukësit. Nesër do të ulen temperaturat

01/02/2022 18:56

Bora vazhdon të jetë intensive në qarkun e Korçës. Nga 15 cm në qytet deri në 40 cm në zonat malore ka arritur trashësia gjatë ditës.

Të gjitha akset nacionale janë të hapura ndërsa lëvizja e mjeteve bëhet me shpejtësi të reduktuar për shkak të vështirësive dhe borës së dendur. Në disa pjesë të rrugëve Korçë Dardhë dhe Korçë -Lozhan mjetet duhet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë. Si pasojë e motit të keq 10 fshatra në Maliq e Pogradec kanë mbetur pa energji elektrike.

Qarku i Kukësit në orët e para të mëngjesit të së martës është përfshirë nga reshjet e deborës. lartësia në Shishtavec ishte 10 cm, në Valbonë 15 cm dhe në Qafë Prush Has 10 cm.

Rrugët nacionale janë të kalueshme. Edhe rrugët rurale janë të kalueshme, përveç rrugës që lidh Nj.Ad Arrë me rrugën nacionale. firmat kontraktuese për mirëmbatjen e rrugëve, po punojnë në Autostradën Milot-Morinë, për pastrimin e rrugës nga dëbora.

Prej orëve të para të mëngjesit të së martës u bllokua dhe Rruga e Arbrit, bypass-Qafë Murrizit, ndërkohë që kontraktorët e rrugës po punojnë për hapjen e këtij segmenti

Ndërkohë meterologu Hakil Osmani tha se gjatë mbrëmjes moti do përmirësohet ndërsa nga e mërkura temperaturat do ulen.

Top Channel