Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Arqile Xhepën, i cili ishte shndërruar në “tmerrin” e Tiranës me vjedhjet që kishte kryer.
33-vjeçari u zbulua pasi më 25 janar, vodhi dyqanin e luleve në pronësi të Gjergj Mersinit që ndodhet në rrugën e Bogdanëve.
Pronarja e dyqanit Zana Mersini deklaroi se rreth orën 08:05, shitësja e dyqanit e ka njoftuar se kishin vjedhur dyqanin dhe 10.000 lekë. Kur ka kontrolluar në dyqan në katin e dytë ka vënë re se i kishin vjedhur dhe kartën e bankës. Ajo ka kontaktuar në telefon me punonjësit e bankës dhe i kanë thënë se kishin tentuar disa herë të fusnin kartën për të tërhequr para nga bankomati në Kombinat, por nuk kishin tërhequr lekë dhe karta kishte ngelur e bllokuar, thuhet në dosjen që disponon gazetarja Anila Hoxha.
Nga kamera e dyqanit kanë vënë re se në orën 21:20, futet një person në dyqan me kapuç, me syze dhe maskë dhe ka marrë lekët në sirtar te banaku, gjithashtu kontrollon dhe vendet e tjera dhe më pas del nga dyqani.
Në deklarimin e tij, Nestor Lila, i cili punon si shofer sqaron se dyqanin e kanë mbyllur rreth orës 20:00 më 25 janar dhe të nesërmen rreth orës 08:20 kanë konstatuar të hapur derën dhe vjedhjen e një shume prej 10.000 lekësh që i mbanin në gjendje.
Pas këqyrjes së pamjeve filmike, është konstatuar se autori ishte Arqil Xhepa, person i njohur me precedent për veprën penale të vjedhjes.
Më 29 janar, rreth orës 17:00, Xhepa u kap në flagrancë në rrugën e Elbasanit ndërsa kishte me vete dorezë, kacavidë, etj. Pas arrestimit të tij, policia ka sqaruar se kishin finalizuar operacionin policor të koduar “Akrepi i natës”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Në deklarimin e tij, Xhepa ka sqaruar se disa nga sendet e vjedhura i ka shitur në Kombinat ndërsa ka shpjeguar se si ka realizuar dhe vjedhje të tjera.
Top Channel