Nga Prishtina, Gabriel Escobar përcolli një mesazh të qartë për Bashkimin perëndimor: BE-ja, tha i dërguari amerikan për rajonin, duhet ta shohë Ballkanin si mundësi dhe jo si rrezik, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës.

Escobar ishte në Prishtinë bashkë me përfaqësuesin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Si Uashingtoni ashtu edhe Brukseli po përpiqen t`i japin një shtysë të re bisedimeve dypalëshe.

Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës. Ju keni dëshmuar që jeni partner i qëndrueshëm, mik i mirë dhe për këtë ju falënderojmë”, tha në një paraqitje të shkurtër para gazetarëve Escobar, që e përshkroi Kosovën dhe rajonin si një mundësi e jashtëzakonshme me energji të jashtëzakonshme.

Ju jeni evropianë, ekonomikisht, kulturalisht dhe historikisht jeni evropianë dhe ne kemi punuar me kolegët tanë në Evropë për t’u siguruar se ata e kuptojnë që Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik. Në këtë kuptim, ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtar potencial të BE-së në të ardhmen, që të gjitha vendet e tij të jenë në paqe me njëri-tjetrin, që të jenë të gjithë produktivë dhe anëtarë të aftë, ashtu siç i kemi parë ne si partnerë dypalësh. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”.

Escobar ritheksoi mbështetjen amerikane që bisedimet duhet të udhëhiqen nga Bashkimi Evropian. Lajak tha se vizita e përbashkët është për të dërguar mesazh të qartë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë dorë për dorë, ngushtë së bashku, “se ne ndajmë pikëpamjen tonë për Kosovën, për bisedimet për normalizim me Serbinë dhe për të ardhmen e rajonit.

Top Channel