Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftoi sot përfaqësuesit e bizneseve në Tiranë, me fokus mbështetjen dhe fuqizimin e të rinjve, që të bëhen pjesë e aktiviteteve të Kryeqytetit Europian të Rinisë.
Gjatë një takimi me ta, Veliaj tha se ky është një shans historik që të gjithë të bëhemi bashkë, këtë vit, për të promovuar Tiranën.
Veliaj: Nëse funksionojmë si ekosistem – u takuam me përfaqësuesit e policisë, linjat ajrore, kompanitë turistike dhe të gjithë ata që ofrojnë shërbime në hoteleri dhe bujtina, me përfaqësuesit e bareve dhe restorantet – kemi një shans historik për qytetin tonë. Këtij ekosistemi do t’i shtohen edhe shkollat, drejtuesit e senateve, rektorët dhe dekanët, për të krijuar një mundësi fantastike për të gjithë. Dje po flisnim me Rita Orën dhe Dua Lipën, për të marrë një datë për koncertet e tyre, ndërsa në 14 mars në Tiranë vjen Maluma dhe shumë shërbime do të funksionojnë në mënyrë dixhitale,” u shpreh ndër të tjera Veliaj.
Kryebashkiaku shigjetoi sërish kreun e FSHF-së. Ai tha se është i vendosur t’i shkojë deri në fund kësaj beteje.
Veliaj: Në Federatën Shqiptare të Futbollit djersit dhe mundohet vetëm kombëtarja kuqezi. I gjithë lidershipi i saj vetëm ka shtuar llogaritë bankare, makinat e shtrenjta dhe çarterat. Kurse mundim real, me djersë, ka vetëm ekipi kombëtar. Turma prej 500 vetash punoon në një organizatë pa transparencë, të cilët vetë votojnë, vetë votohen. Imagjinoni çfarë do ndodhte nëse kryeministri do thoshte: Tani që kemi zgjedhjet e presidentit, po sikur ta shtojmë parlamentin me nja 30 vetë? Pra, ta bëjmë vetëm për atë ditë 170 veta dhe të fitojmë! Por kjo s’mund të ndodhë se në Parlament janë 140 deputetë, I dimë edhe emrat e atyre që votojnë, dhe ti nuk mund të ndryshosh rregullat e lojës sa herë ke një sfidë para teje,” deklaroi më tej ai.
Top Channel