Kryeministri britanik Boris Johnson urdhëroi forcat e armatosura të vendit të tij të përgatiten për dislokim këtë javë në mesin e tensioneve të përshkallëzuara nga një sulm i mundshëm rus mbi Ukrainë.
Johnson tha se po diskutohet dyfishimi i numrit të trupave britanike në lindje të Europës dhe po mendohet të dërgohen në Estoni armë defensive në përpjekje për të forcuar kufijtë lindorë të kontinentit të vjetër.
“Kam urdhëruar forcat tona të armatosura të përgatiten për t`u nisur në disa pjesë të Europës, për të garantuar se do të jemi në gjendje të mbështesim aleatët tanë të NATO-s. Kjo lëvizje do t`i dërgojë Kremlinit një mesazh të qartë: ne nuk do ta tolerojmë aktivitetin e tyre destabilizues, dhe do të qëndrojmë gjithmonë në krahë të aleatëve tanë të NATO-s përballë armiqësisë ruse, tha Boris Johnson, kryeminister i Mbretërisë së Bashkuar.
Zyrtarët britanikë do të zhvillojnë një takim urgjent për të diskutuar mundësinë ushtarake dhe për të finalizuar vendimin e dërgimit të trupave në rajonet lindore.
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar mbi rrezikun e një agresioni rus në Ukrainë, pasi Moska ka grumbulluar 100 mijë ushtarë në kufi me vendin fqinj e vazhdon të dërgojë të tjerë.
Ministria e jashtme britanike javën e kaluar njoftoi se kishte siguruar informacione që tregonin se qeveria ruse po përgatitet të vendosë në krye të Ukrainës një lider pro-Moskës.
Top Channel