SHBA merr vetë “frerët” e dialogut Kosovë-Serbi: Escobar, në Prishtinë e Beograd

31/01/2022 14:12

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, shkojnë këtë javë në Prishtinë dhe në Beograd, në një përpjekje për të ripërtërirë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Kjo është vizita e parë e përbashkët e dy të dërguarve në përpjekje për të ripërtërirë bisedimet në nivelin më të lartë politikë.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është mbajtur në korrik të vitit 2021 pa ndonjë përparim dhe qëndrimet tërësisht të kundërta të palëve detyruan Bashkimin Evropian të heqë dorë në fund të vitit të kaluar nga përpjekjet për një takim të ri.

Mospajtimet më të thella kanë të bëjnë me asociacionin e komunave me shumicë serbe, meqë Beogradi ngul këmbë që kjo është çështja kryesore, ndërsa Prishtina kërkon që çështje tjera më të ngutshme si ndriçimi i fatit të personave të zhdukur, të hidhen në tryezë, thote Voa.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel, si një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Aktualisht të dyja palët po diskutojnë vetëm në nivel teknik të delegacioneve për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave, e cila në shtator të vitit të kaluar nxiti tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA