Buxheti i Bashkisë së Vlorës për vitin 2022 është miratuar unanimisht në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak.
Buxheti i rrëzuar më parë nga zyra juridike e Prefekturës u rikthye dhe u rivotua këtë të hënë po në Këshill Bashkiak.
Anëtarët e këtij këshilli thanë se nuk kishin asnjë orientim politik për të rrëzuar buxhetin dhe se argumentet e ngritura nga institucioni i Prefektit të Qarkut nuk qëndronin. Mësohet se mes katër kërkesave për buxhetin e rikthyer u ndryshua vetëm pika e parë, ajo e emërtimit të paketës fiskale.
Siç duket përplasja e cila u tentua të shitet si “politike” rezulton të mos jetë e tillë.
Kjo, pasi dy vite më parë, një kompani e themeluar nga prefekti i Vlorës Flamur Mamaj, e cila tashmë ka kaluar në disa duar, por që punon ende bashkëshortja e tij Arta Mamaj u shpall fituese e tenderit “Për ruajtjen e objekteve të Bashkisë Vlorë”, duke përfituar fonde publike me vlerë 92.000.000 lekë të reja.
Këtu kujtojmë se me Vendimin Nr. 177 datë 04.04.2019 të Këshillit të Ministrave është krijuar shoqëria shtetërore “Illyrian Guard” Sh.a. e cila do të ofrojë shërbimin e ruajtjes dhe sigurimit për të gjitha institucionet dhe shërbimet publike, që kanë në administrim objekte shtetërore.
Sipas parashikimeve të pikës 10 të kësaj VKM-je, të gjitha institucionet dhe subjektet publike të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, duhet t’i drejtohen me kërkesë shoqërisë “Illyrian Guard” Sh.a. për të marrë shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike.
Konform ligjit, Bashkia e Vlorës iu drejtua me anë të një kërkese shoqërisë “Illyrian Guard” Sh.a, por që kjo e fundit deklaronte se nuk mund ta ofronte një shërbim të tillë. Sipas të njëjtës VKM në pikën 11 të saj, thuhet se nëse shoqëria “Illyrian Guard” Sh.a. merr vendim për pamundësinë e ofrimit të shërbimit të kërkuar, institucionet dhe subjektet publike mund ta sigurojnë këtë shërbim, duke u drejtuar në kompani të tjera private.
Në këto kushte, e detyruar nga nevoja, Bashkia Vlorë shpall tenderin për një periudhë tre vjeçare me një vlerë prej 1.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Në atë kohë, fitues të këtij tenderi, u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë “F.P.M” & ”ELEKTROSEK” shpk, me pronarë përkatësisht Barjam Ruka dhe Ilir Mane.
Por, kontrata e parashikuar për këtë vit e buxhetit të bashkisë me vlerë 43.000.000 lekë të reja i është hequr, duke ia kaluar sipas ligjit Illyrian Guard.
Kujtojmë se zyra juridike e Prefekturës rreth dy muaj më parë e cilësoi të paligjshëm projekt-buxhetin e miratuar në Këshillin Bashkiak të Vlorës, duke renditur disa argumente, sipas saj, për kthimin dhe rishqyrtimin e buxhetit.
Institucioni i Prefektit argumentonte se emërimet e tarifave, pastrimi, ndriçimi dhe gjelbërimi për bizneset me të ardhura nga 0-8 mln lekë bien ndesh me ndryshimet e miratuara në paktën fiskale miratuar në nëntor të 2021.
Gjithashtu sipas prefektit, buxheti i parashikuar për pastrimin në qytet ishte më i ulët se në vitin paraardhës, duke mos reflektuar rritjen e taksës së pastrimit më 40-70 % për kategori të ndryshme të biznesit.
Një tjetër aspekt, që sipas prefektit buxheti është i paligjshëm lidhet me mos përmbushjen e detyrimit ligjor për mirëmbajtjen e tokës bujqësore.
Pika e fundit është ajo që lidhet me zërin e shpenzimeve, ku sipas prefektit, nuk janë përfshirë detyrimet ndaj kreditorëve dhe furnitorëve.
Bashkia nuk reagoi për këtë situatë, ndërsa buxheti i saj, u shqyrtua dhe u miratua në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak.
Top Channel