Stuhia Malik u duk sikur përplasi të gjithë zemërimin e motit mbi qytetin e Malmos në Suedi, ku shkuli pemë nga rrënjët, përmbyti rrugë e rrëzoi një vinç.
Malmo po bën llogaritë me dëmet e mëdha që uragani ka lënë pas, por nuk është i vetmi. Stuhia e dhunshme dimërore që u përplas mbi veriun e Evropës këtë fundjavë, ka shkaktuar disa viktima, ka shkatërruar shtëpi e makina, ka mbyllur ura e ka sjellë vërshime masive ujërash, ndërsa mijëra vetë mbeten gjithashtu pa energji elektrike.
Reshje të dendura shiu e dëbore u përplasën mbi Danimarkë, Finlandë, Norvegji e Suedi.
Një 78-vjeçare në Danimarkë gjeti vdekjen vetëm sepse hapi derën e stallës dhe erërat e fuqishme e hodhën tej. Gjatë përplasjes, gruaja e moshuar mori dëmtime të shumta, të cilave nuk arriti t`i mbijetonte.
Një djalë vetëm 9 vjeç u vra në Staffordshire të Anglisë nga rrëzimi i një peme.
Pemë që binin nga furia e erëave që mberritën shpejtësinë 160 km në orë, i morën jetën dhe një 60 vjecareje në Skoci. Në afërsi të Berlinit, një burrë u vra nga një billboard të cilin era e kishte shkulur nga vendi.
Përmbytjet në shumë pjesë të Danimarkës shkaktuan dëme të mëdha materiale. Pemët e rrëzuara bllokuan dhe trafikun në shumë zona.
Jugu i Suedisë gjithashtu u godit rëndë ndërsa lundrimi me traget drejt ishullit të Gotlandit, u pezullua. Shtëpi, makina e anije të dëmtuara u raportuan dhe në Norvegji.
Në Filandë, pati dhe shembje rrugësh, çka u bë shkas për bllokimin e lëvizjes së automjeteve në disa pjesë të vendit.
Top Channel