I dënuar me 14 vite burg/ Prodhim narkotikësh dhe pjesë e bandës së drogës, arrestohet 33-vjeçari

31/01/2022 11:07

Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses një tjetër operacion policor, të koduar ‘BAOFENG’, në kuadër të të cilit u bë e mundur arrestimi i shtetasit Fatjon Marku, të shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje narkotikësh, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Shtetasi Fatjon Marku, 33 vjeç, banues në Lezhë, është kapur nga shërbimet e Policisë, duke qarkulluar si pasagjer në mjetin me drejtues shtetasin F. K.

Ky i fundit nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, ndërsa pas disa minutash ndjekjeje u bë e mundur ndalimi i mjetit.

Shtetasi Fatjon Marku ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2018, i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg “, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjithashtu, me vendimin e datës 28.12.2021, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e ka dënuar me 14 vite burg, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, policia gjeti dhe dhe sekuestroi një thikë dhe 1 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë.

Në përfundim të veprimeve u procedua penalisht edhe drejtuesi i mjetit, shtetasi F. K., për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Prodhimi, shitja, mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” në ngarkim të shtetasit Fatjon Marku dhe për veprën penale “Moskallëzim krimi” në ngarkim të shtetasit F. K.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA