Denis Zakaria zbarkon në Torino, Juve nis sulmin vendimtar edhe për mesfushorin e Cagliarit

31/01/2022 08:32

Juventus ndez merkaton e janarit. Pas firmës me serbin Dusan Vlahovic, që u ble për 75 milionë euro nga Fiorentina, bardhezinjtë kanë mbyllur një tjetër transferim të rëndësishëm.

Bëhet fjalë për mesfushorin zviceran Denis Zakaria, i cili ka mbërritur të dielën në mbrëmje në Torino dhe sot do të kryejë vizitat mjekësore, para se të firmosë një kontratë që do ta mbajë të lidhur me bardhezinjtë deri në verën e 2026-ës.

Mesfushori zviceran kishte kontratë deri në fund të sezonit me Borussia Monchengladbach, por Juventus vendosi të paguajë 5 milionë euro, plus tre të tjera në formë bonusi, për ta marrë menjëherë nën urdhrat e Allegrit.

Megjithatë asgjë nuk përfundon këtu, pasi ditën e fundit të merkatos, bardhezinjtë do të provojnë të afrojnë edhe uruguaianin Nahitan Nandez, që është në pronësi të Cagliarit.

Negociatat mes klubeve kanë nisur prej ditësh dhe së fundi duket se Juve ka propozuar një shkëmbim huazimesh me Kaio Jorge, megjithatë përgjigjen finale do ta japë klubi sard, që duhet të marrë në konsideratë edhe dëshirën e uruguaianit.

Pas një gjysme të parë të sezonit larg pritshmërive, tashmë Max Allegri sheh t’i kompletohet organika me lojtarë të rëndësishëm në çdo rol, teksa vendi i katërt nuk duhet të jetë më justifikim për bardhezinjtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA