21 viktima dhe 1.254 raste të reja infektimesh regjistroi të dielën Maqedonia e Veriut, një kthesë dramatike kjo për vendin fqinj që u duk sikur e kishte kapërcyer më të keqen e pandemisë së koronavirusit.

Shtatë nga viktimat ishin në Shkup, nga tre në Kavadar dhe Strumicë, dy në Prilep dhe nga një në Strugë, Kumanovë, Tetovë, Kërçovë, Negotinë e Manastir.

Sipas raportit të publikuar nga autoritetet e shëndetësisë, nëntë nga viktimat ishin të vaksinuara ndërsa 12 të tjerët kanë pasur sëmundje bashkëshoqëruese.

Numri total i jetëve të humbura nga Covid 19 në këtë vend mbërrin kështu në 8,383.

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, ka paralajmëruar ndryshime në përbërjen e Komisionit për Sëmundje Infektive, zgjerimin e këtij trupi edhe me specialistë të klinikave tjera “për një menaxhim sa më efikas me pandeminë e koronavirusit”.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndryshimit të protokollit për evidentimin e viktimave, përkatësisht mostestimin për COVID-19 të pacientëve që vdesin nga sëmundje tjera shoqëruese.

Numri i lartë i viktimave në Maqedoninë e Veriut i dedikohet protokollit, i cili sipas specialistëve të shëndetësisë, dallon nga ai i vendeve tjera.

Paralajmërimet, ministri Sali i ka bërë gjatë marrjes së vaksinës së tretë dhe me këtë rast ka bërë thirrje për vaksinimin e popullatës.

Deri më tani me nga dy doza janë vaksinuar rreth 864,000 persona apo rreth 48 për qind e popullatës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA