Zyrtarët më të lartë ushtarakë amerikanë paralajmëruan se Rusia do të ‘mbjellë’ një rrugë të përgjakshme e shkatërrimi për të gjitha palët, nëse vendos t’i zgjidhë mosmarrëveshjet e saj me Ukrainën, duke përdorur forcën ushtarake.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjenerali Mark Milley lëshoi një paralajmërim të prerë të premten gjatë një konference të rrallë shtypi në Pentagon me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin. Milley-Austin këmbëngulën se tragjedia mund të shmangej nëse Moska do të ishte e gatshme të tërhiqej.
“Duke pasur parasysh llojin e forcave që janë grumbulluar, forcat e manovrimit tokësor, artilerinë, raketat balistike, forcat ajrore, nëse të gjitha këto bashkë do të lëshoheshin në Ukrainë, pasojat do të ishin të mëdha”, u tha gjenerali Milley gazetarëve. “Do të rezultonte në një numër të konsiderueshëm viktimash. Dhe e merrni me mend se çfarë do të sillte kjo në zonat e dendura urbane. Do të ishte diçka e tmerrshme, gjë që nuk është e nevojshme të ndodhë’, tha ai.
Paralajmërimi i SHBA-së të premten vjen pasi përplasja mes Rusisë dhe Ukrainës duket se ka mbërritur në një pikë delikate. Më vonë të premten, Presidenti Joe Biden u tha gazetarëve se do të rriste praninë ushtarake amerikane që do të operojnë me trupat e NATO-s në Evropën Lindore. “Do të dërgoj trupa në Evropën Lindore dhe vendet e NATO-s, brenda një kohe të shkurtër”, tha zoti Biden pas kthimit në Uashington nga një vizitë në Pensilvani.
Telfonata Putin-Macron
Zyrtarë të lartë të mbrojtjes amerikane paralajmëruan se Rusia kishte grumbulluar një fuqi të mjaftueshme ushtarake për të nisur një pushtim në shkallë të plotë dhe në çdo kohë të Ukrainës. Më herët Presidenti rus Vladimir Putin këmbënguli në një telefonatë me Presidentin francez Emmanuel Macron se Perëndimi kishte dështuar të trajtonte në mënyrë adekuate shqetësimet e Moskës lidhur me sigurinë.
Kremlini tha se zoti Putin i tha zotit Macron se përgjigjet më të fundit diplomatike të Perëndimit nuk morën parasysh shqetësimet e Rusisë lidhur me zgjerimin e NATO-s, apo ndalimin e dislokimit të trupave të aleancës pranë kufirit me Rusinë dhe largimin e tyre nga Evropa Lindore. Në një tjetër reagim, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha të premten se Rusia nuk dëshiron luftë me Ukrainën, por do të mbronte interesat e saj kundër Perëndimit nëse kjo do të ishte e nevojshme.
Por sekretari amerikan i Mbrojtjes u tha gazetarëve në Pentagon të premten se askush nuk ka bërë asgjë për ta detyruar Rusinë të rrethojë Ukrainën me më shumë se 100,000 trupa. “Nuk ka patur asnjë provokim që i bëri ata të dislokonin forca”, tha zoti Austin të premten në Pentagon. Ai kritikoi Moskën për një valë të re fushatash dezinformuese.
“Ajo që po shohim është se mediat shtetërore ruse flasin aktualisht për aktivitet të supozuar në Ukrainën lindore. Këto janë taktika të Rusisë dhe ata nuk na e hedhin dot”. tha ai. Zoti Austin tha gjithashtu se shfaqja e forcës nga ana e Moskës është joproduktive. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, zyrtarët amerikanë dhe evropianë thonë se vazhdojnë të kenë shpresë se diplomacia mund të mbizotërojë.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke folur me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se komentet si ato të së premtes nga Ministri i Jashtëm rus Lavrov janë një shenjë pozitive. “Ne e mirëpresim mesazhin”, tha ai. “Ne duhet ta shohim atë të mbështetur nga një veprim i shpejtë”. Zyrtari shtoi se takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet ditën e hënë lidhur me Ukrainën do të jetë “një mundësi për Rusinë që të shpjegojë se çfarë po bën. Ai tha se SHBA do të shkojë e përgatitur për të dëgjuar./VOA
Top Channel