Ish-kryetari i të përndjekurve politik dhe partisë “Rruga e Lirisë”, Kurt Kola ka ndërruar jetë këtë të shtunë në moshën 85-vjeçare pas komplikacioneve të rënda të shkaktuara nga Covid-19. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë i biri, Bilal Kola, i cili pasoi të atin në misionin e tij për integrimin e të përndjekurve politikë.
“Të nderuar miq. Me hidhërim të thellë njoftoj ndarjen nga jeta sot në orët e para të mëngjesit të babait tonë të dashur, Kurt Kola. Pas një beteje për rreth një muaj me Covid-19, ai doli triumfator duke e mposhtur Covid kundër të gjithë gjasave. Kishte rreth 2 muaj që bënte dializë, aortën e kishte të zmadhuar, pësoi trombozë në këmbë nga Covid. Rreth një muaj pasi e kaloi Covid, para 10 ditësh pësoi një komplikacion të rëndë në mushkri, që rezultoi goditje fatale.
Është thuajse rregull përbashkues që njerëzit e zakonshëm kanë tendencë të natyrshme dy procese në jetë: 1. Të minimizojnë dhimbjet. 2. Të maksimalizojnë kënaqësitë. Njerëzit e jashtëzakonshëm falë koshiencës së tyre të lartësuar, bëjnë përjashtim nga ky rregull. Ata gjithmonë zgjedhin me koshiencë të bëjnë gjënë e drejtë, pavarësisht se kjo mund t’u shkaktojë dhimbje!
Kurt Kola nuk është thjesht një njeri i jashtëzakonshëm, por është individi më i jashtëzakonshëm që unë njoh! Lamtumirë babush, jam i sigurt që shpirti yt do të prehet në Parajsë!”, shkruan, Bilal Kola në rrjetin social Facebook.
Kurt Kola ishte vetëm 8 vjeç kur nisi kalvarin e gjatë nëpër kampet e internimit dhe në burgje. Ishte data 10 maj 1945, kur do i merrnin fillimisht prej fshatit të lindjes në Macukull, atë, së bashku me nënën, tre nuset e xhaxhallarëve dhe 8 fëmijë të tjerë të mitur, në një shtegtim të vështirë e të gjatë, që do të mbyllje vetëm në vitin 1991, kur regjimi të përmbysej.
Top Channel