Lufta antikanabis, Çuçi mbledh krerët e Policisë së Shtetit: Në mes të vitit nis kontrolli satelitor i territorit

29/01/2022 16:43

“Lufta antikanabis vijon të jetë një prioritet absolut edhe përgjatë vitit 2022”. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë një takimi me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe shefat e komisariateve në të gjithë vendin. Ai bëri me dije gjithashtu se në ndihmë të Policisë së Shtetit do të vijë edhe teknologjia, më konkretisht shërbimi i satelitit dhe më tej dronët.

“Besoj që këtë vit të fillojmë me një risi në pjesën e kontrollit të territorit. Diku nga mesi i vitit do të kemi shërbimin satelitor që do të na prodhojë gati përditë foto të pjesëve të territorit të Shqipërisë, në ato zona që janë edhe më sensitive. Mund të kemi një avantazh tjetër që do të na krijohet për shkak të kontrollit të përditshëm të territorit nga sateliti. Me shpresë gjithashtu që nga fundi i vitit të fillojë edhe monitorimi me dronët super-inteligjentë. Por besoj se me satelitë do të fillojë më shpejt”, deklaroi ministri Çuçi.

Ai kërkoi nga drejtuesit e Policisë së Shtetit që të mos tolerojnë asnjë presion të mundshëm politik të çfarëdo niveli qoftë. Kush mbyll sytë për të toleruar kultivimin e kanabisit, do të shkatërrojë karrierën e vet, tha ministri Çuçi.

“Presionin politik për të mbyllur një sy apo për të toleruar diku e keni zero. Nga ministri apo kryeministri as që nuk diskutohet. Por çfarëdolloj sinjali sado të tërthortë që mund të merrni nga çdo faktor politik sado i lartë të jetë duhet ta refuzoni me forcë dhe të më bëni me dije mua drejtpërdrejt. Nëse i shkon nëpërmend njeriut të mbyllë një sy në lidhje me këtë gjë, do t’i shkatërrohet karriera. Dua që gjithsecili këtu ta kuptojë kështu siç e thashë unë. Ju lutem shumë të mos bëjë gabim njeri që të tolerojë apo mbyllë sytë”, theksoi Ministri i Brendshëm.

Sipas tij beteja në luftën kundër kultivimit dhe trafikut të kanabisit është shumë e rëndësishme për Shqipërinë.

“Ju jepet juve mundësia që të bëni një gjë të mirë për Shqipërinë. Dhe mbase nuk mund të ketë gjithnjë momente të tilla gjatë karrierës tuaj”, iu drejtua ministri Çuçi krerëve të Policisë së Shtetit.

Më tej ai evidentoi disa nga treguesit e efikasitetit në luftën kundër kanabisit përgjatë vitit 2021, ku domethënëse është rritja e çmimit në treg për shkak të mungesës së prodhimit. E po kështu, Guardia di Finanza ka konfirmuar se gjatë vitit që lamë pas nuk ka kapur drogë që mbërrinte nga Shqipëria.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, shprehu vendosmërinë për tolerancë zero ndaj këtij aktiviteti kriminal.
“Në analizat që kemi zhvilluar në drejtoritë vendore të policisë, porosia ka qenë e qartë. Do të qëndrohet fort për çdo rast ku do të ketë abuzim, mosveprim apo më keq akoma implikim të punonjësve të policisë apo çdo drejtues strukture në këtë aktivitet të kundraligjshëm. Unë ju garanttoj që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të jetë gjithmonë e gatshme dhe do të monitorojë çdo aktivitet, do të bashkëpunojë me çdo institucion ligjzbatues dhe të inteligjencës, me qëllim që të minimizojë këtë problematikë”, tha Nano.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA