Interneti po “vret” telefonatat/ Gjithmonë e më shumë thirrjet telefonike bëhen nëpërmjet internetit

29/01/2022 19:56

Ditët e sotme të gjithë ne e kemi më thjeshtë të shtypim butonin e thirrjes në një aplikacion mesazhesh sesa ta gjejmë atë në kontaktet e telefonit.

Këtë e konfirmojnë edhe shifrat nga AKEP, të cilat tregojnë se gjatë 2020-ës dhe 2021-it konsumi mesatar i internetit është rritur. Në vitin që lamë pas është shënuar edhe një rekord për përdorimin mesatar të internetit që ka arritur mesatarisht në  6.4 gigabyte për përdorues.

Eksperti i teknologjisë, Mirgent Hoxha shprehet se kjo ka ardhur për disa arsye:

Mirgent Hoxha: Është shpejtësia e internetit ajo që e ka ndihmuar këtë komunikim të jetë i qartë, i shpejtë, pa ndërprerje. Ky nuk është i rregulluar nga qeveria shqiptare dhe e ka mundësinë që nuk përgjohesh. Por ka edhe një element tjetër që është shumë i rëndësishëm që është kostoja, që është shumë herë më e lirë sepse ti nuk paguan asgjë, sepse ke paguar fillimisht internetin.

Sipas tij, rrjeti 5G pritet ta transformojë edhe më tej të gjithë industrinë e komunikimit.

Mirgent Hoxha: Ne po shikojmë tani me teknologjinë 5G që do vijë është shumë herë më e shpejtë dhe kjo do e çojë komunikimin në një nivel tjetër, pa ndërprerje. Që edhe kjo vizioni i Facebookut që të ketë një komunikim digjital, ku ti mund të jesh kudo në botë dhe do kesh mundësi ta shohësh atë personin.

Sa i përket teknologjisë 5G, AKEP ka kërkuar nga qeveria të bëjë ndryshimet ligjore që të implementojë këtë teknologji, ndërsa ka hartuar edhe një plan për hapjen e ankandit për kompaninë që do shtrojë rrjetin dhe kjo pritet të ndodhë në mesin e këtij viti.

Top Channel