Udhëheqësi i Ukrainës dhe ndihmësit e tij të mbrojtjes e sigurisë po i vlerësojnë qëllimet e udhëheqësit rus Vladimir Putin ndryshe nga shumë prej homologëve të tyre perëndimorë. A janë thjesht ata duke u treguar stoikë pas tetë vitesh provokime të vazhdueshme ruse dhe një lufte të gjatë në Ukrainën lindore, apo thjesht po e keqkuptojnë kundërshtarin e tyre rus?
Uashingtoni dhe Londra kanë paralajmëruar se shanset janë të larta që Presidenti rus Putin të urdhërojë një pushtim të Ukrainës. Presidenti i amerikan Joe Biden ka paralajmëruar për javë të tëra për “mundësinë e lartë” të një pushtimi të Ukrainës nga Rusia muajin e ardhshëm dhe ai e përsëriti këtë të enjten në një bisedë telefonike me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, thotë se ai “nuk është optimist” se një inkursion rus në Ukrainë mund të ndalet. Ai tha për kanalin BBC gjatë vizitës në Berlin se kishte ende “një mundësi” që një pushtim i Ukrainës të ndalohej, por shtoi: “Unë nuk jam optimist”.
Rusia mohon se po përgatitet për nisjen e një sulmi të madh kundër Ukrainës, duke akuzuar fuqitë perëndimore për përhapje paniku. Kremlini këmbëngul se më shumë se 100,000 trupa që ka dislokuar përgjatë kufijve të Ukrainës thjesht po marrin pjesë në një stërvitje ushtarake.
Presidenti ukrainas Zelenskiy dyshon se Moska do të fillojë një sulm për të pushtuar vendin e tij. Ai thotë se Rusia ka më shumë gjasa të vazhdojë të zhvillojë formën shumë të sofistikuar të luftës psikologjike dhe hibride që ka përdorur kundër Ukrainës dhe Evropës me intensitet në rritje gjatë dekadës së fundit.
Presidenti ukrainas ka bërë thirrje për qetësi përpara takimit të së mërkurës midis zyrtarëve të Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës – i njohur si “formati i Normandisë” – për të diskutuar edhe një herë çështjen e rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore, gati gjysma e të cilit është pushtuar në vitin 2014 nga ushtarë rusë dhe kryengritës të armatosur vendas.
I pyetur në një konferencë shtypi të premten nga mediat e huaja në lidhje me vlerësimet e ndryshme dhe për një çarje të mundshme me Presidentin Biden, zoti Zelenskiy përmendi shqetësimet e tij për ekonominë e Ukrainës, duke thënë se diskutimet për një pushtim të afërt po ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit. “Për mua, çështja e përshkallëzimit të mundshëm të situatës është po aq shqetësuese sa edhe ajo që kanë shprehur Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë”, tha ai.
Por ai u ankua se mediat po jepnin përshtypjen se ne kemi dislokuar ushtrinë në rrugë, gjë që nuk është e vërtetë. Dhe ai tha se Ukraina nuk “ka nevojë për këtë panik” sepse ai po e dëmton ekonominë.
Udhëheqësi ukrainas shprehu pakënaqësinë e tij javën e kaluar në lidhje me vendimin e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kanadasë dhe Australisë për evakuimin e personelit nga ambasadat e tyre në Kiev. Zoti Zelenskiy dhe ndihmësit e tij shprehën zhgënjimin, duke thënë se tërheqja e një pjese të stafit diplomatik ishte e parakohshme.
Një zyrtar i tha Zërit të Amerikës se evakuimet minuan përpjekjet për të qetësuar frikën e ukrainasve të zakonshëm. Shtetet e Bashkuara dhe Britania gjithashtu u kanë thënë shtetasve të tyre që të largohen nga Ukraina.
Sipas zyrtarëve ukrainas, presidenti Zelenskiy ka diskutuar çështjen e evakuimeve me zyrtarë amerikanë, përfshirë sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken, duke thënë se tërheqja e stafit është një “reagim i tepruar” dhe diçka që Rusia mund ta shfrytëzojë për të mbjellë frikë dhe për të destabilizuar vendin.
gjithatë, përveç shqetësimeve për ekonominë dhe moralin e ukrainasve, Kievi duket se nuk është dakord me vlerësimet e Uashingtonit dhe Londrës mbi strategjinë e zotit Putin, si dhe mbi atë se sa afër është ai në përpjekjen për të përfunduar përforcimet e nevojshme ushtarake për të nisur një sulm për pushtimin e Ukrainës.
Sipas ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, Rusia nuk ka trupa të mjaftueshme për të kryer një pushtim në shkallë të plotë. Ai u tha gazetarëve këtë javë, “Numri i trupave ruse të grumbulluara përgjatë kufirit të Ukrainës dhe territoreve të okupuara të Ukrainës është i madh, ai përbën një kërcënim për Ukrainën, një kërcënim të drejtpërdrejtë për Ukrainën, megjithatë, për momentin, numri i tyre nuk është i mjaftueshëm për një ofensivë të plotë kundër Ukrainës përgjatë gjithë kufirit ukrainas”.
Disa analistë të pavarur ukrainas pajtohen me vlerësimin e Kievit se një pushtim në shkallë të plotë nuk ka të ngjarë të ndodh. “Unë nuk besoj se do të ketë një pushtim ushtarak në shkallë të plotë”, thotë Taras Kuzio, analist i organizatës Henry Jackson Society, me seli në Londër, dhe profesor në Akademinë Kombëtare Mohyla të Universitetit të Kievit.
“Nga ky këndvështrim, unë jam dakord me zyrtarët ushtarakë ukrainas”, tha ai në një debat të fundit televiziv në Britani. “Nuk ka trupa të mjaftueshme atje. Ukraina është një territor i madh. Ajo ka ushtrinë e tretë më të madhe në Evropë. Dhe nëse jeni duke punuar në bazë të një raporti tre me një të ushtrive pushtuese kundrejt atyre mbrojtëse, që është numri që ju nevojitet për të qenë i suksesshëm, atëherë Rusisë do t’i duhen 500,000 deri në 600,000 trupa për të mposhtur Ukrainën. Nuk e ka atë shifër dhe nuk parashikohet ta ketë”, tha ai.
Eksperti Kuzio beson se ka më shumë gjasa që Rusia të kryejë një inkursion rreth bregut të Detit të Zi dhe të zgjerojë territorin që kontrollon në rajonin e Donbasit.
Zyrtarët ukrainas e pranojnë privatisht se ndodhe para një situate të vështirë. Ata kanë nevojë për ndihmën dhe materialin ushtarak perëndimor, nga raketat anti-tank e deri tek ato tokë-ajër, dhe ata kanë nevojë që Perëndimi të jetë i fortë, të përballet me zotin Putin dhe të pengojë Rusinë nga çdo lloj sulmi, i kufizuar apo i gjerë. Por ata nuk duan të flasin për kërcënimin, të shkatërrojnë ekonominë e tyre dhe të shkaktojnë panik në mesin e banorëve të tyre. Është një linjë e mirë që ata po ndjekin, i thanë Zërit të Amerikës disa zyrtarë.
Zyrtarët perëndimorë thonë se duhet të jenë gati për të gjitha eventualitetet dhe nuk duan të jenë të papërgatitur, siç ndodhi në vitin 2014 kur Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë. Rusia më pas inkurajoi dhe ndihmoi grupet e armatosura për të pushtuar një pjesë të Donbasit në vazhdën e një kryengritjeje popullore që rrëzoi presidentin ukrainas Viktor Janukoviç, një aleat i zotit Putin.
Për këtë arsye ata thonë se duhet të shtohet prania ushtarake e NATO-s në Evropën Lindore, në vendet fqinje të NATO-s dhe të gjithë ta kuptojnë se kjo është një situatë serioze. “Putini është i paparashikueshëm dhe do të shfrytëzonte çdo boshllëk dhe çdo dobësi që ai do të diktonte”, tha një zyrtar i lartë i NATO-s për Zërin e Amerikës.
Top Channel