Aksioni i fundit i SPAK në zyrat e Kadastrës në Tiranë është vetëm maja e ajsbergut të situatës me pronat. SPAK kapi në korrupsion pesë zyrtarë të zyrës së kadastrës së Tiranës që merrnin pagesa deri në 200 mijë lekë për të dhënë dëshminë e pronës.
Ndërkohë edhe raportet e shoqërisë civile tregojnë se Kadastra është në qendër të padive për korrupsion. Këto janë të dhënat e qendrës FOL, e cila për një muaj monitoroi statistikat e padive të ndryshme në organet e drejtësisë. Ekspertët e kësaj qendre kanë vërejtur se nga 578 raste të korrupsionit të referuara pranë organeve proceduese, rezulton se numrin më të lartë të subjekteve të përfshira e mbajnë zyrtarët dhe ish zyrtarët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtorive Rajonale Rurale dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Aktet korruptive të dyshuara si të ndërmarra nga ana e këtyre subjekteve, duket se konkurrojnë me korrupsionin në sistemin gjyqësor, i dokumentuar në masën 26%. Pjesa dërmuese lidhen gjithashtu me pronën. Pak ditë më parë ministria e Drejtësisë kërkoi nga drejtuesi i Kadastrës shkarkimin në bllok të drejtuesve dhe të specialistëve të zyrës së kadastrës së Durrësit.
Së shpejti shkarkimi do të ndodhë ndërkohë që ministria e drejtësisë lajmëroi se një raport me 368 faqe do ti shkojë së shpejti, prokurorive në Tiranë e Durrës si dhe në SPAK.
Top Channel