Serbia kthen “në armë” votën e Kurtit: Ai votoi në Shqipëri, serbët të votojnë në 3 prill

28/01/2022 17:35

Gjatë vizitës së saj në Bruksel, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, u ankua për faktin që Republika e Kosovës nuk lejon mbajtjen e referendumit të Serbisë.

Ne folëm kryesisht mbi mohimin e bërë të drejtave themelore të serbëve në Kosovë, çka u pa fare mirë në 16 janar, kur atyre iu ndalua pjesëmarrja në referendum dhe votimi, e ky është një precedent i tmerrshëm”, tha Bërnabic për mediat serbe.

Kryeministrja serbe deklaroi më tej, se kur bëhet fjalë për zgjedhjet e prillit, ka marrë zotimin e BE-së se do të angazhohen sa të munden, që të mos përsëritet ajo çfarë ndodhi me referendumin.

Këtu, ajo përmendi faktin që kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet e Shqipërisë.

Një gjë e tillë nuk duhet të lejohet. Nuk duhet lejuar që serbëve t’iu mohohen të drejtat bazike për pjesëmarrje në zgjedhjet që Serbia do t’i mbajë”, ka thënë Bërnabiç.

Sipas saj, vendimi i Kurtit për të mos lejuar votimin e serbëve në referendum ka qenë një “hipokrizi”, duke qenë se ai vetë mori pjesë dhe votoi  zgjedhjet e Shqipërisë.

Shefja e ekzekutivit serb përmendi edhe vazhdimin e dialogut, e sërish problemin e gjeti tek pala tjetër teksa i kërkoi BE-së të bindë Kosovën që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të jetë e gatshme për kompromis.

Top Channel