Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano të premten në Komisionin e Ligjeve deklaroi se reagimi i efektivëve të policisë ndaj qytetarëve në ditën e prishjes së banesave të tyre tek 5 Maji, ishte në proporcion me reagimin e tyre.
Nano tha se policia atë ditë ka shoqëruar pesë persona, mes tyre edhe një person që ka kërcënuar kryebashkiakun Erion Veliaj, gjatë një interviste televizive.
Në fjalën e tij, ai tregoi se nga Inspektoriati i Bashkisë Tiranë është kërkuar mbështetje nga komisariati Nr.4 me qëllim shmangien e incidenteve gjatë prishjes së banesave të prekura nga projekti te 5 Maji. Sipas tij, shërbimet policore, janë instruktuar nga drejtuesit që të jenë të kujdesshëm.
Nano tha se efektivët e policisë u vendosën në zonë rreth orë 07:00 dhe në momentin e prishjes së banesave ka pasur veprime nga disa banorë, të cilët nuk lejuan mjetet e IMT-së, si dhe tentuan t’i vendosnin flakën një mjeti, duke rrezikuar jetën e banorëve të tjerë.
“Në këto kushte janë shoqëruar 5 persona, të cilët kundërshtuan me dhunë forcat e policisë. Gjatë shoqërimit është përdorur forcë proporcionale ndaj reagimit të kundërshtimit të tyre. Këta shtetas janë shoqëruar në komisariat dhe më pas janë lënë të lirë pas veprimeve procedurale. Këta shtetas kanë kundërshtuar policisë e shtetit për hapjen e rrugës dhe se në një intervistë për media shtetasi Elson Marku ka kërcënuar kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj. Në komisariatin e policisë ka ardhur një denoncim nga një operator, i cili pretendon se është dhunuar nga forcat e policisë. Materialet u referuan në prokurorinë e Tiranës dhe për këtë rast u nis një procedim penal”, tha Nano.
Kujtojmë se shembja e banesave në zonë e 5 Majit në kuadër të projektit të rindërtimit u shoqërua me përplasje mes policisë dhe banorëve.
Nga projekti për lagjen e re të 5 Maji, preken banorët e njësisë administrative nr.4 dhe nr.8, të cilët do të marrin kompensim të plotë, duke shkëmbyer banesën e tyre, me një shtëpi në godinat e reja që do të ndërtohen për të pastrehët nga tërmeti.
Deri në momentin që do të futen në shtëpinë e re këta banorë do të marrin bonusin e qirasë nga Bashkia e Tiranës.
Top Channel