Tenda e Micro Folie-së, e cila prej dy javësh ka hapur dyert për fëmijët e Tiranës, një ditë më parë ka pritur fëmijët afganë të shoqëruar nga prindërit dhe mësuesit e tyre.
Ka qenë një ditë e veçantë në tendën e vendosur mbrapa Kryeministrisë ku gumëzhinin zërat e e fëmijëve afganë të cilët kaluan dy orë argëtuese dhe edukuese mes artit, teknologjisë dhe lojërave të ndryshme në Micro Folie.
“Ishte bukur tek shihje fëmijë të cilët vinin nga një e shkuar e vështirë të përkushtoheshin aq shumë tek projeksionet e artit modern në muzeun digjital dhe gjithashtu vajza e djem të vegjël të përdornin pajisjet teknologjike me aq aftësi dhe dëshirë për të mësuar më tepër rreth tyre”, u shpreh drejtuesi i projektit të Micro-Folie , Jonid Jorgji.
Një vizitë e mundësuar nga Bashkia Tiranë dhe me praninë e nënKryetares së Bashkisë Tiranë znj. Anisa Ruseti, nuk do jetë e fundit në tendën e Micro Folie. Micro Folie është një projekt francez i realizuar për herë të parë nga parku La Villette në Paris për të afruar fëmijët dhe të rinjtë sa më afër me botën e artit dhe teknologjisë. Këtë projekt të suksesshëm që mori udhë në gjithë botën, Bashkia e Tiranës bashkë me Kryeministrinë arritën ta sjellin në Tiranë jo vetëm për fëmijët dhe të rinjtë e kryeqytetit, por dhe për të gjithë vizitorët e Tiranës EYC2022.
Micro Folie në Tiranë çdo ditë është e hapur për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme dhe në fundjavë për fëmijët me prindër dhe të rinjtë. Çdo fundjave tenda organizon evente artistike si koncerte, performanca të ndryshme të artit kontemporan dhe gjithashtu aktivitete të lidhura me botën e teknologjisë dhe shkencës.
Top Channel