Auditorët e BE-së: Ndihma 700 mln euro për shtetin ligjor në Ballkan nuk ishte efikase! Shqipëria e fundit në rajon

28/01/2022 08:10

Ndihma e Bashkimit Europian prej 700 milionë eurosh për avancimin e reformave me synim sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor ka pasur shumë pak ndikim, sipas një raporti publikuar nga Gjykata Europiane e Auditorëve këto ditë.

Gjatë viteve 2014-2020, Bashkimi Europian disbursoi një shumë prej 690 milionë eurosh për forcimin e shtetit ligjor në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfituesit më të mëdhenj ishin Serbia dhe Shqipëria përkatësisht me 246 dhe 134 milionë euro.

Gjykata Europiane e Auditorëve vërejti se, në rajon janë bërë reforma teknike dhe operacionale, por mungon vullneti politik dhe angazhimi për t’i zbatuar këto reforma.

Mbështetja e BE-së ka qenë e pamjaftueshme të trajtojë problemet e vazhdueshme, në fusha të tilla si pavarësia e gjyqësorit përqendrimi i pushtetit, ndërhyrjet politike dhe korrupsioni, thonë auditorët.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë kandidate, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë kandidate potenciale për anëtarësim në BE. Megjithatë, të gjithë ata vazhdojnë të përballen me probleme në lidhje me shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore. Për më shumë se dy dekada, BE-ja është përpjekur për t’i ndihmuar në zbatimin e agjendës së tyre reformuese, por situata nuk është përmirësuar, përkundrazi.

Raporti publikoi një tabelë ku tregon cilësinë e indikatorëve të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor. Grafiku më poshtë tregon se Shqipëria ka cilësinë më të dobët të qeverisjes në Rajon dhe gjithashtu është e fundit në indeksin e zbatimit të ligjit.

Ndihma e BE-së u fokusua në dy drejtime, së pari mbështetje financiare (në shumë prej rreth 700 milionë euro ndërmjet 2014 dhe 2020) dhe së dyti, dialogu politik.

Raporti i Auditorëve vërejti se BE-ja e ka shfrytëzuar shumë rrallë instrumentin e pezullimit të ndihmës në rastin kur përfituesit nuk respektuan parimet bazë të demokracisë, sundimit e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Auditorët vërejnë se mbështetja e BE për shoqërinë civile është e pamjaftueshme në plotësimin e nevojave të sektorit dhe kryesisht bazohet në projekte afatshkurtra.

Audituesit rekomanduan rritjen e mbështetjes për shoqërinë civile dhe gazetarët në rajon, dhe gjithashtu te aplikohen kushte për disbursimin e fondeve për reformat ligjore.

Shumë qeveri të BE-së e shohin vendosjen e standardeve të larta demokratike në Ballkanin Perëndimor si të rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e vetë bllokut, veçanërisht pasi të gjashtë vendet në rajon aspirojnë t’i bashkohen BE-së në të ardhmen.

Përparimi modest i bërë gjatë 20 viteve të fundit kërcënon qëndrueshmërinë e përgjithshme të mbështetjes së BE-së të ofruar në procesin e anëtarësimit. Reformat e vazhdueshme humbasin besueshmërinë, nëse nuk japin rezultate të prekshme, vlerësuan auditorët./ Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA