Dy persona, të dyshuar si administratorë të subjekteve të ngritura për krijimin e kriptomonedhave në Durrës, janë arrestuar në kuadër të një operacioni policor të koduar “Kriptofarm”.

Ata janë E.H., 29 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i subjektit të ngritur për krijimin e kriptomonedhave, në fshatin Pjezë, Shijak dhe E.H., 57 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administratori i subjektit të ngritur për krijimin e kriptomonedhave në fshatin Fllakë, Durrës.

Policia tha se dy administratorët akuzohen për veprat penale “Mashtrim kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan gjithashtu në flagrancë 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 4 të tjerë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime për ngritjen e dy strukturave për prodhimin e kriptovalutave që krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike, duke krijuar përfitime monetare.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin dhe vendosjen para drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.

Top Channel