​Hoti: Të ndryshohet menjëherë vendimi që kërkon 3 vaksina për të hyrë në Kosovë

28/01/2022 19:43

Ish-kryeministrit, tani deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë që në Kosovë të mos lejohet hyrja e personave që nuk janë të vaksinuar me dozën e tretë.

Ai thotë me të hyrë në fuqi këto masa, ka pranuar mesazhe dhe thirrje nga Kukësi, Lugina e Preshevës dhe Tetova, për çka thekson se është shqetësuese mungesa e koordinimit të Qeverisë në marrjen e vendimeve te tilla me këto vende.

“Këto ditë kam pranuar mesazhe dhe thirrje nga Kukësi, Lugina e Preshevës dhe Shkupi e Tetova. Kërkesa për tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë është vërtetë e pakuptimtë. Lëvizjet ditore nga Presheva në Gjilan, apo nga Kukësi në Prizren, janë sikur lëvizjet nga Prizreni në Gjakovë apo nga Gjilani në Ferizaj. Prandaj, çdo vendim që merret duhet parë si ndikon në jetën e qytetarëve andej kufirit, sepse e kemi obligim shtetëror. Shqetësuese është mungesa e koordinimit të Qeverisë së Kosovës në marrjen e vendimeve të tilla me Qeverinë në Tiranë dhe atë në Shkup, si dhe me Kryetaren e Preshevës. KY VENDIM DUHET TË NDRYSHOHET MENJËHERË”, ka shkruar Hoti.

Top Channel