​Deputetja Reshitaj: E pavend kërkesa për dozën e tretë për të hyrë në Kosovë

28/01/2022 01:58

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, vlerëson se ekzekutivi duhet të ndryshojë masën për hyrjen në Kosovë me dozë të tretë të vaksinës ndaj COVID-19 dhe e njëjta masë të zëvendësohet me bërjen e testeve rapide falas në kufi.

“Masat e fundit dhe sidomos kërkesa për dozën e tretë të vaksinës ka qenë e panevojshme në këtë fazë, pasi edhe me dy vaksina qytetarët po arrijnë të infektohen sërish me COVID-19. Kam kërkuar që kjo masë të ndryshohet dhe të ofrohen teste rapide në kufij falas, pasi edhe saktësia e tyre është e lartë dhe e shpejtë”, tha ajo.

Mes tjerash, Reshitaj, në “Edicionin Special” të Klan Kosovës, theksoi se kjo masë është e pavend, pasi qytetarët në vend ende nuk janë vaksinuar në shumicë me këtë dozë.

“Ka ende diskutime në arenën ndërkombëtare se a duhet të vaksinohen të gjithë qytetarët me dozën përforcuese dhe të mos harrojmë që këto doza janë të domosdoshme për kategoritë më të rrezikuara. Kur ne si vend nuk kemi arritur që të vaksinojmë në masë qytetarët me tri doza dhe t’u kërkojmë qytetarëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera, është e pavend”, tha Reshitaj.

Deputetja vlerëson se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do të duhej të bënte hulumtime rreth varianteve të COVID që janë të pranishme në Kosovë.

“Këto hulumtime do të ndihmonin më shumë institucionet, qytetarët dhe ekspertët që nuk kemi të bëjmë vetëm me variantin Omicron, por edhe variantin Delta dhe se rastet që janë duke u infektuar dhe fatkeqësisht po ndërrojnë jetë mund të jenë me variante më të vjetra. Për atë kam kërkuar që institucionet të dinë se cila është përqindja e rasteve me variantet përkatëse të COVID-19. Ne nuk kemi këtë informacion”, u shpreh Reshitaj.

Top Channel