U ndanë çmimet “Konkurs 2022”/ Mbi 700 pjesëmarrës ekspozuan foto dhe video të frymëzuara nga peizazhe dhe portrete

27/01/2022 01:40

“Konkurs 2022”, u finalizua të mërkurën me ndarjen e çmimeve në Kryeministri. Në këtë nisme, qytetarët adresuan foto dhe video ndërkohë që ftesës iu përgjigjën mbi 700 pjesëmarrës.

Në kategorinë e fotografisë morën pjesë 455 pjesëmarrës, imazhet e të cilëve u frymëzuan nga peisazhe, portrete apo simbolika të ndryshme. Fotografitë fituese u ekspozuan në hollin e Kryeministrisë, duke i dhënë mundësi publikut të njihet me to në ditët në vijim.

Në kategorine e videokërkesave morën pjesë 159 pjesëmarrës, të cilët ideuan videot e tyre me një kërkesë specifike lidhur me shkollën apo komunitetin ku jetojnë. Në shpërndarjen e çmimeve dhe të shpërblimeve simbolike, Kryeministri falenderoi qytetarët që u bënë pjesë e tij, me shpresën dhe urimin që ky konkurs të kthehet në një traditë.

“Dua të përfitoj nga rasti të them vetëm se së pari është një kënaqësi e veçantë që një ftesë spontane times, kaq shumë njerëz iu përgjigjen pozitivisht. Së dyti, dua t’ju falenderoj ju që jeni këtu dhe të gjithë ata që nuk janë këtu e që morën pjesë në këtë konkurs me shpresën dhe urimin që ky konkurs të bëhet traditë e gjithmonë e më shumë njerëz të marrin pjesë në të”- tha Rama.

Top Channel