Debat për masat anti-covid/ Opozita në Kosovë kërkon llogari pse po mbyllet kufiri

27/01/2022 19:43

Shtimi i rasteve të të infektuarve me COVID dhe masat e Qeverisë çuan deputetët në një seancë të jashtëzakonshme këtë të enjte.

Opozita kërkonte nga ekzekutivi të gjente arsyen pse duhen tri doza të vaksinës për hyrje në Kosovë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e rekomandon këtë.

Besnik Tahiri: Pse e keni mshelë kufirin me Shqiprinë, Maqedoninë dhe kur do ta hapni. Në qoftë se OBSH ka një qëndrim të tillë, pse Kosova ka një tjetër.

Deputetët jo shumicë po ashtu masat për mbrojtje nga koronavirusi i quajtën edhe jologjike e fajësuan qeverinë për keqmenaxhim.

Memli Krasniqi: Kufizimi i lirisë së lëvizjes me orare e veçanërisht operimi me orë policore, pothuajse i jep një konotacion mitik virusit thuaj se ai del natën e bën kërdi në Kosovë e ditën e ka pushim.

Armend Zemaj: Qeveria e ka një zgjidhje sipas saj apo të vetmen zgjidhje që ajo njeh, izolimin. Ndryshe, kryefjala e një qeverie të paaftë.

Megjithatë sipas shefi të ekzekutivit, kjo është mënyra më e mirë që të ndalohet përhapja e madhe e variantit Omicron.

Albin Kurti: Gati të gjithë udhëtarët që vijnë në Kosovë janë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje ka vaksina, ne kemi vaksina. Nuk po diskriminohet askush në vendin tonë.

Kreu i Qeverisë së Kosovës në fund të seancës tha se këto masa mbeten të pandryshuara përderisa nuk ulen rastet e infektimit me virusin COVID.

Top Channel