Blendi Teta është dënuar me 25 vite burg, pasi bashkëpunoi në vrasjen e ish-efektivit Santiago Malko në vitin 2019.

Kujtojmë se ish-punonjësi i policisë së kryeqytetit mbeti i vrarë mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në një atentat të mirëorganizuar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së 26-vjeçarit Santiago Malko u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.

I riu ishte një emër i njohur për autoritetet.  Ai në vitin 2016 ka qenë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së kryeqytetit.

Dyshimet janë se 26-vjeçari u ekzekutua për hakmarrje, pasi mendohet se ishte përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Durrësit, një ngjarje që është zbatuar me të njëjtin mekanizëm siç u vra edhe Malko.

Santiago Malko dha dorëheqjen nga policia mbi tre vite para se të vritej. Emri i tij u lakua së pari në vitin 2016 nga vetë zyrat e shtypit të policisë pas një konflikti fizik për shkak të borxheve nga lojërat e fatit.

Më pas ai u shfaq me kapele në kokë në kamerat e sigurisë në ambientin e brendshëm të një lokali në zonën e Bllokut, gjatë shkëmbimit me armë zjarri ku një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën.

Por siç rezultoi nga hetimet e mëpasshme, Malko nuk kishte kryer asnjë veprim të dyshimtë ndaj drejtësia nuk i hapi probleme.

Përballë togave të zeza të GJKKO-së, Teta mohoi se ka qenë i përfshirë në vrasjen e të riut. Sipas tij ai nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen dhe nuk ka asnjë provë që e përfshin në atentatin mafioz.

Ndërkohë prokurori i çështjes Behar Dibra, kundërshtoi deklarimet e tij, duke i thënë gjykatës së në fashikujt e dosjes hetimore ka prova të mjaftueshme se Teta ka pasur rol kryesor në atentatin mafioz.

Sipas tij, përveç pamjeve filmike ka dhe prova të AND-së së Tetës qe e implikojnë atë në ngjarje.

Në lidhje me ngjarjen vijon të jenë të shpallur në kërkim Leonard Duka, Erlis Duka,  Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.

Nga kamerat e sigurisë që kanë fiksuar ngjarjen e rëndë në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ku u vra Santiago Malko,  Ilir Selmani është parë që zbret nga një makinë dhe mbledh nga toka bishtat e cigareve që kishte konsumuar më herët Blendi Teta, duke i hedhur në koshin e mbeturinave.

Top Channel