Tritol Dukës, ndalohet autori/ Kamerat e sigurisë fiksuan mjetin që përdori autori i dyshuar dhe pallatin ku u fut

26/01/2022 00:44

Identifikohet autori i dyshuar për shpërthimin me eksploziv në shtëpinë e Armando Dukës. Top Channel mëson se grupi hetimor ka mundur të identifikojë personin e dyshuar përmes shqyrtimit të pamjeve të kamerave të sigurisë përgjatë rrugës që ka ndjekur autori.

Burime të sigurta bënë me dije se po shoqërohet për të dhënë shpjegime shtetasi Arlen Hasanaj, banor i lagjes 4 të qytetit bregdetar. I dyshuari është sipërmarrës dhe ende nuk dihet konflikti që ka mes tij dhe Armando Dukës.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi që vendosi dhe aktivizoi lëndën eksplozive pranë portës së oborrit të familjes Duka është fiksuar nga kamerat e sigurisë në rrugën paralele me portin duke hipur në një automjet tip ML të cilin e ka lëvizur pak metra.

I riu me kapuç është parë të futet në një pallat të njohur në Durrës. Kanë mjaftuar këto pamje për ta çuar grupin hetimor drejt zbulimit të identitetit përmes targës së automjetit.

Nga veprimet hetimore rezulton se Hasanaj është banor i pallatit ku kamerat e sigurisë e kanë fiksuar natën e së hënës duke hyrë e dalë. Ai është një person pa precedent penal.

Top Channel