E para anije ushtarake për transportin e nëndetëseve gjatë Luftës së Parë Botërore, për llogari të Japonisë, është zbuluar së fundmi, në thellësitë e Adriatikut, në Gjirin e Durrësit.
Anija “Verbano” u mbyt në nëntor të vitit 1918 pasi ndeshi në dy mina detare teksa lundronte nga Kotorri drejt Libisë. Atëherë pronë e Marinës Mbretërore Italiane, sot ky objekt i shtohet hartës së arkeologjisë nënujore të Durrësit, duke e pasuruar më tej atë.
“Një zbulim i rëndësishëm që konfirmon edhe njëherë potencialin e lartë arkeologjik e historik që ka Gjiu i Durrësit. Përfaqëson një dokument më shumë, nëse do e konsiderojmë kështu anijen “Verbano”, që kontribuon në sqarimin e situatës, ditëve pas mbarimit të LIB. Kemi fundin e jetës së kësaj anijeje. Një anije që për herë të parë është konceptuar si një anije që transportonte nëndetëse dhe kjo ka gjetur pasqyrim të gjerë në atë kohë në shtypin e kohës dhe revistat e specializuara”, u shpreh Adrian Anastasi, arkeolog nënujor.
Me zbulimin e këtij objekti, arkeologjia nënujore shqiptare shënon një tjetër arritje. Për herë të parë, grupi teknik i zhytësve, pjesë e projektit të Institutit të Arkeologjisë për krijimin e hartës së trashëgimisë nënujore të Durrësit, thyen një rekord thellësie.
“Andrea Bada dhe Denis Nova janë dy zhytës teknikë të specializuar për thellësitë e mëdha. Në nivel vështirësie për herë të parë në Shqipëri kapërcehen thellësitë deri 50 metra dhe kalojmë në studimin e mirëfilltë ku kemi të dhëna që mund të gjejmë relikte të rëndësishme qofshin ato të antikitetit, apo periudhave më modern”, tha Anastasi.
Kjo gjetje ka sjellë shumë interes edhe në Italinë fqinje, jo vetëm për vlerat historike të kësaj anije, po dhe për ato humane që mbart. Pjesa më e madhe e ekuipazhit ushtarak humbi jetën në të.
“Është duke u përgatitur një dokumentar nga RAI Storia. Kur ndodhin mbytje dhe ka dhe viktima, sigurisht ky është një relikt i rëndësishëm në pikëpamjen historike pasi i përket LIB, po konsiderohet edhe një varr dhe meriton të gjithë respektin edhe në pikëpamjen humane”, u shpreh ai.
Por a do të jetë ky objekt së shpejti pjesë e ofertë turistike nënujore të Durrësit?
“Është shumë thellë, jemi 90 metra, dhe jashtë standardeve klasike të zhytjeve që bëjnë të apasionuarit pas nënujit. Kërkon teknikë shumë të lartë për të arritur atje. Mungon edhe infrastruktura shëndetësore për të garantuar sigurinë. Po mund të vendosen telekamera dhe me një sistem transmetimi dhe në ekranet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit vizitorët mund ta shohin në kohë reale. Këto forma shërbejnë dhe për ta mbrojtur nga dëmtime klandestine dhe pse është e zorshme në këto nivele”, tha arkeologu.
Top Channel