Dy banorë të Kukësit janë vënë nën hetim pasi një ditë më parë organizuan protestë në Pikën Kufitare të Morinës.
64-vjeçari dhe 37-vjeçari akuzohen për veprat “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit
të mjeteve të transportit”, pasi protestuan për rregullat anticovid të vendosura nga qeveria kosovare.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit R. M., 64 vjeç dhe M. F., 37 vjeç, banues në Kukës, pasi në PKK Morinë, kanë organizuar protestë pa lejen e organeve kompetente, duke bllokuar lëvizjen e lirë të qarkullimit të mjeteve”, sipas policisë.
Prej të shtunës, banorët e Kukësit që duan të hyjnë në Kosovë po kthehen për shkak të mungesës së dozës së tretë të vaksinës.
Kjo i revoltoi qytetarët e të hënën organizuan protestë në pikën kufitare në Morinë, pasi sipas tyre është e padrejtë të mos lejohen të kalojnë kufirin pa dozën e tretë të vaksinës.
Banorët e Kukësit bllokuan edhe korsinë e automjeteve që hynin në Shqipëri me arsyetimin se edhe qytetarëve të Kosovës iu duhen tri doza për të hyrë në Shqipëri.
Sipas qeverisë kosovare, të gjithë personat që hyjnë në territorin e Kosovës duhet të kenë tri doza të vaksinës ose dy doza të vaksinës e testin PCR, masa që janë të vlefshme deri më 4 shkurt. Kjo masë e Kosovës është kundërshtuar edhe nga Maqedonia e Veriut.
Top Channel