Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë detyrim paraqitje për tre personat e arrestuar në lidhje me laboratorin e kriptomonedhave që u zbulua në Shijak dhe Fllakë.

Mësohet se gjyqtarja e çështjes, Flora Hasimi, i cilësoi si të pamjaftueshme provat për të mbajtur në burg Rramush Dumanin, Liserxhoi Xhaferraj dhe Ardian Çekicin, duke caktuar një masë më të butë sigurie, ndërsa hetimet vijojnë.

Operacioni policor i koduar “KRIPTOFARM”, evidentoi dy laboratorë për prodhimin e kriptovalutës dhe vuri në pranga tre persona dhe shpalli në kërkim katër të tjerë, sipas policisë, këta shtetas shpenzuan rreth 1 milionë euro për krijimin e këtij aktiviteti.

Sipas autoriteteteve, një strukturë ishte ngritur në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës dhe struktura tjetër në fshatin Fllakë, Shijak, Durrës.

Nga verifikimet dhe hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas megjithëse nuk kanë marrë një përgjigje pozitive nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare për krijimin e këtij aktiviteti kanë zhvilluar aktivitetin e tyre i cili bie ndesh dhe me ligjin Nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë’ duke qenë se nuk plotëson asnjë nga kriteret e vendosura në këtë ligj.

Policia tha se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 631 copë pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, 630 copë panele diellore, 360 copë pajisje elektronike për sigurimin e vazhdueshëm të energjisë elektrike, 71 copë pajisje kompjuterike për procesimin e të dhënave, 71 copë pajisje kompjuterike për ruajtjen e përkohshme të të dhënave, 71 copë Hard disqe të jashtme dhe 71 copë pajisje elektronike për stabilizimin e temperaturave.

Po ashtu, materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Top Channel