Real Madrid nuk zhvilloi një ndeshje të mirë ndaj Elches. Ekipi spanjoll po humbiste 0-2 deri në minutën e 82’, por golat e Luka Modric dhe Eder Militaos evituan humbjen dhe i dhuruan Realit një pikë që mund të rezultojë e rëndësishme në fund të sezonit.
Distanca me Sevillan e vendit të dytë është katër pikë pas 22 javëve të para. Carlo Ancelotti nuk i kurseu kritikat në analizën e kryer rreth takimit të ditës së diel, teksa ka një propozim në lidhje me minutat shtesë të ndeshjeve.
“Duhet të mësojmë nga kjo ndeshje, pasi pësuam dy gola që mund të shmangeshin me lehtësi. Ama, unë i përgëzoj djemtë për reagimin, zakonisht këto lloj ndeshjesh humben kur shkojnë në këtë mënyrë.
Mund të ishim më kompakt. Nuk jemi të kënaqur me performancën tonë, por tani vjen pushimi për shkak të ndeshjeve të kombëtareve dhe ne jemi të pozicionuar mirë në të gjithë kompeticionet”.
Trajneri italian më pas ndalet te minutat shtesë, duke shtjelluar idenë e tij në lidhje me këtë çështje. “Minutat shtesë vendosën në bazë të një vlerësimi subjektiv të arbitrit. Të gjithë do të donim të luanim më shumë. Unë mendoj se një rregull për kohën shtesë do të ishte i mirë për futbollin”.
Top Channel