Që nga e shtuna, banorët e Kukësit që duan të hyjnë në Kosovë po kthehen për shkak të mungesës së dozës së tretë të vaksinës.
Kjo i revoltoi qytetarët e të hënën organizuan protestë në pikën kufitare në Morinë.
Sipas tyre është e padrejtë të mos lejohen të kalojnë kufirin pa dozën e tretë të vaksinës.
Adem Duraku: Në më lanë të dalë. Dy dozat i pata më tha të duhet e treta. Kurse, shih çka kanë bë, e kanë hekë 15 euro e kanë bë 30 euro.
Testi PCR që duhet në rast se banorët janë të vaksinuar vetëm dy herë, thonë se është i kushtueshëm, për udhëtimin e tyre të përditshëm në Kosovë.
Perparim Muja: Të bëjmë testimin 30 euro, ku t’i marrim ne? Një ditë po një ditë jo, e kemi të detyrueshme të dalim andej.
Ragip Matmuja: T’i heqin tamponet. Popollu nuk ka fuqi ekonomike të paguaj tampone çdo 24 orë sa herë t’hyjë e të dalë.
Banorët e Kukësit bllokuan edhe korsinë e automjeteve që hynin në Shqipëri me arsyetimin se edhe qytetarëve të Kosovës iu duhen tri doza për të hyrë në Shqipëri. Policia reagoi shpejtë e për pak minuta edhe protesta u shpërnda.
Masa që obligon të gjithë personat që hyjnë në territorin e Kosovës të kenë tri doza të vaksinës ose dy doza të vaksinës dhe testin PCR të freskët është duke u kundërshtuar edhe nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali i ka kërkuar Ministrit të Shëndetësisë në Kosovë Rifat Latifit ta shqyrtojë këtë masë. Të njëjtën kërkesë për Latifin e ka pasur edhe Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, sipas të cilit studentët nga Lugina e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit po kanë vështirësi për të hyrë në Kosovë.
Mirëpo, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka në plan t’i rishqyrtojë masat për hyrje në Kosovë.
Rifat Latifi: Ne nuk kërkojmë tri vaksina. Nëse i kanë tri vaksina mirë se vini në Kosovë. Nëse i kanë dy vaksina, duhet me pasë test, sikur në çdo vend tjetër të botës.
Masat e miratuara dy ditë më parë janë në fuqi deri më 4 shkurt.
Top Channel