Mbrojtja “thembra e Akilit”, Teuta pëson më shumë se gjithë kampionati i vjetshëm

24/01/2022 14:56

Ky sezon nisi me Teutën si kampione në fuqi teksa durrsakët sezonin e kaluar ishin një skuadër shumë e vështirë për t’u thyer, veçanërisht falë repartit difensiv ku mbi të tjerët dallonte dyshja Renato Arapi e Rustem Hoxha, pa harruar edhe portierin Stivi Frashëri.

Por, në këtë sezon, dyshja e mbrojtjes duhej të ndahej me Arapin që ka nisur aventurën si trajner ndërsa Hoxha ka kaluar te Ballkani në Kosovë, ndërsa në vend të Frashërit në portë është Pano Qirko. Ndaj, bregdetarët të detyruar, patën lëvizje në repartin difensiv ndërsa nga një pikë e fortë, mbrojtja është kthyer në një pikë të dobët dhe shumë lehtë e thyeshme.

Kështu, nëse në sezonin e kaluar, Teuta në të gjithë kampionatin pësoi vetëm 16 gola, sivjet kur ka mbetur edhe një javë për të mbyllur fazën e dytë, bregdetarët kanë pësuar plot tetë gola më shumë, teksa janë në kuotën 24. Sigurisht, pësimi i kaq shumë golave ka sjellë mungesën e theksuar të rezultateve me skuadrën që gjendet në vendin e gjashtë të klasifikimit me vetëm 18 pikë.

Sakaq, në përpjekje për ta bërë ekipin të reagojë, drejtuesit e Teutës kanë mbyllur për herë të dytë në këtë sezon marrëveshjen me trajnerin Edi Martini, ndërsa po për herë të dytë rikthejnë në krye në rolin e trajnerit Renato Arapi, teksa Sulejman Starova do të jetë në rolin e drejtorit teknik.

Mbetet për t’u parë tashmë nëse Teuta do të nisë kthesën dhe të “kyç” portën, teksa në javën e 18, luan në transfertë ndaj Skënderbeut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA