Kushi uron Ditën Ndërkombëtare të Arsimit me shprehjen e Aristotelit: Në 2030, dhe shkolla e mesme të jetë me detyrim

24/01/2022 10:50

Me shprehjen e filozofit grek Aristoteli se “arsimi është stoli në kohë të mira, dhe strehë në kohë të vështira”, ministrja Evis Kushi ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Arsimit.

Kjo ditë e shënuar i gjen shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet bosh, për shkak të temperaturave të ulëta që kanë mbërthyer vendin. Kushi, në mesazhin e saj, shkruan se një vendim i tillë ishte i nevojshëm për sigurinë e fëmijëve.

Sipas Kushit, synimi i Ministrisë së Arsimit është sigurimi i kushteve më të mira në shkolla, por edhe “metodave bashkëkohore të mësimdhënies, përshtatur me nevojat që kërkon sot koha dhe tregu”.

Në planin për Shqipërinë e vitit 2030, ministrja e Arsimit, përmend dhe mundësinë që arsimi i mesëm të bëhet i detyrueshëm. “Ky do të ishte investimi më i mirë për të ardhmen e tyre dhe zhvillimin e Shqipërisë tonë të dashur”, shprehet ministrja.

Ndërkohë, teksa shkollat janë pushim, një grup studentësh po proteston këtë të hënë para Ministrisë së Arsimit. Aktivistët e Qëndresës Qytetare lajmëruan protestën si formë reagimi ndaj mungesës së ngrohjes në shkolla. Disa qytetarë kanë sjellë ngrohëset e tyre përpara Ministrisë së Arsimit, duke ironizuar sistemit arsimor.

Ngrohja në shkolla është një nga problemet që po përballen nxënësit dhe mësuesit në këto ditë të ftohta janari, ndërsa moti i acartë me temperatura të ulëta nën zero gradë ka mbërthyer vendin. Ngricat, reshjet e dëborës dhe akulli në rrugë kanë vështirësuar qarkullimin në disa zona të vendit.

Mesazhi i plotë i ministres Evis Kushi:

Siç thotë Aristoteli, Arsimi është stoli në kohë të mira,  dhe strehë në kohë të vështira.

Edhe pse do të doja që urimi im sot për Ditën Ndërkombëtare të Arsimit t’i gjente nxënësit dhe mësuesit në shkolla, kushtet atmosferike na detyruan të ndërpresim për pak ditë procesin mësimor, në të mirë të shëndetit dhe sigurisë së tyre.

Sepse ne kujdesemi jo vetëm për sigurinë e tyre brenda mureve të shkollës, por edhe për rreziqet që vijnë nga ngricat, dëbora apo të ftohtët gjatë rrugës deri shkollë.

Kombet e Bashkuara konfirmuan përsëri para pak ditësh se pandemia e Covid 19, që nga momenti kur u shfaq për herë të parë, e ka futur në kaos arsimin në të gjithë botën, duke ndikuar rreth 1.6 miliardë nxënës e studentë. Ndërkohë që teknologjia dhe shumë fusha të tjera të jetës vazhdimisht po pësojnë transformime rrënjësore.

E për t’u përshtatur më mirë me kohën, pa dyshim që arsimi bashkëkohor është një domosdoshmëri. Prandaj OKB këtë vit si temë për arsimin ka zgjedhur “Ndryshimi i Drejtimit, Transformimi i Arsimit” (Changing Course, Transforming Education).

Synimi ynë është që t’u sigurojmë nxënësve dhe mësuesve tanë jo vetëm kushte sa më të mira, por edhe metodat më bashkëkohore të mësimdhënies, përshtatur me nevojat që kërkon sot koha dhe tregu.

Ky transformim i arsimit përkon edhe me vizionin tonë mjaft sfidues për Shqipërinë e vitit 2030, për një arsim sa më cilësor në shkolla dhe universitete, në përputhje me nevojat e reja të shekullit 21.

Le të jemi më ambiciozë dhe të punojmë së bashku që në Shqipërinë e vitit 2030, pse jo, nxënësit shqiptarë ta kenë arsimin e detyruar edhe në shkollën e mesme, deri në moshën 18-vjeçare. Ky do të ishte investimi më i mirë për të ardhmen e tyre dhe zhvillimin e Shqipërisë tonë të dashur.

Top Channel