Ideja e krijimit të qeverisë së pakicës në Mal të Zi ka shkaktuar tronditje. Në shkurt priten ndryshime dhe eventualisht rrëzimi i qeverisë. Parlamenti duhet të votojë për mocionin ndaj qeverisë aktuale.

Mali i Zi në shkurt do të këtë me shumë gjasa një qeveri të re të pakicës, në krye të së cilës mund të jetë ish- zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç. Koalicioni i tij “E Zeza mbi të Bardhë”, që përbëhet nga URA dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, ka kërkuar që parlamenti të votojë për mosbesimin ndaj kabinetit aktual të Zdravko Krivokapiçit.

Pritet që qeveria të bjerë, sepse iniciativën e ka mbështetur e gjithë opozita, kështu që do të këtë vota të majftueshme që ajo të miratohet. URA do të formonte pastaj qeverinë e pakicës, ku nuk do të merrnin pjesë dy grupimet më të forta në parlament – Fronti Demokratik në pushtet (DF) dhe partia Demokratike e Socialistëve në opozitë (DPS) e presidentit Milo Gjukanoviç, por kanë kërkuar prej tyre si dhe prej partive të tjera, që të mbështetsin kabinetin e pakicës. Besohet se DPS do ta sigurojë mbështetjen e nevojshme.

Vendimin për rrëzimin e qeverisë, ku bëjnë pjesë edhe vetë, tek URA e justifikojnë me faktin se Mali i ZI është prej kohësh në krizë politike, se janë bllokuar integrimet evropiane dhe zgjedhja e funksionarëve kryesorë të drejtësisë

“Anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian është qëllimi ynë kryesor politik dhe qytetarët mund dhe duhet të grumbullohen rreth tij”, thotë për DW nënkryetari i URA dhe kreu i grupit parlamentar të koalicionit „E Zeza në të Bardhë” në parlament, Millosh Konatar.

“Qeveria aktuale nuk ka mbështetjen e shumicës parlamentare dhe URA nuk ka faj për këtë. “Gjithashtu kemi të bllokuar mundësinë e zgjedhjes së Prokurorit të Lartë të Shtetit, Këshillit Gjyqësor dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe duhet të kërkojmë mënyrën për të gjetur shumicën e nevojshme prej tre të pestave për këtë, pra 49 deputetë në parlament”, thotë Konatar.

Qeveria e pakicës – një zgjidhje e përkohshme

Qeverinë e re mund ta përbëjnë URA, Partia Popullore Socialiste (SNP), që është gjithashtu pjesë e qeverisë aktuale, si dhe partitë opozitare të pakicave – Partia Boshnjake dhe dy koalicionet e partive shqiptare. Këta të gjithë kanë së bashku 14 deputetë. Në qeveri mund të hynin edhe socialdemokratët dhe partia socialdemokrate në opozitë. Me mbështetjen e mundshme nga jashtë të 30 deputetëve të DPS, arrihen saktësisht 49 deputetët e nevojshëm për zgjedhjen e njerëzve në krye të drejtësisë, momentalisht e bllokuar.

Qeveria e re, nëse do të jetë e pakicës, a do të jetë më e fortë se aktualja? A mund të zbatojë ajo reformat e nevojshme dhe a do të ketë mbështetje më të madhe ndërkombëtare?

“Së pari, duhet parë se çfarë lloj mbështetjeje politike ka ajo dhe kush e bën atë”, thotë për DW analisti politik Dragisha Janjusheviç. “Së dyti, asnjë qeveri e pakicave nuk ka patur potencial të madh reformues në mandatin e saj, por ka qenë në funksion të kapërcimit të një situate krize. Është e dukshme se do të ketë mbështetje ndërkombëtare, por edhe mandat të shkurtuar”, mendon Janjusheviç.

Nënkryetari i URA Konatar nuk ka këtë mendim: “Pres që qeveria të zgjasë deri në fund të mandatit, pra deri në vitin 2024 dhe së paku një vit për të realizuar reformat e nevojshme dhe për të zhbllokuar proceset”.

Janjusheviç nga ana tjetër beson se qeveria e re e pakicës do të ketë vetëm disa pika të rëndësishme në agjendën e saj: “Këto janë reforma e ligjit zgjedhor, zhbllokimi i rrugës evropiane të Malit të Zi, mbështetja më e madhe për reformat ligjore dhe hapja e rrugës për reformat ekonomike”. “Për më shumë reforma do të ishte e nevojshme një shumicë parlamentare më e qëndrueshme, e bazuar në vullnetin elektoral dhe me mandat të plotë”, vlerëson Janjusheviç.

“Tradhëti e përmasave epike”

Kryeministri Zdravko Krivokapiç, si dhe një pjesë e partive në pushtet, reaguan ashpër ndaj njoftimit për rrëzimin e qeverisë aktuale dhe formimin e qeverisë së pakicës. Ndërrimin e qeverisë së tij apo ristrukturimin e saj ka gjysëm viti që e kërkon me këmbëngulje Fronti Demokratik (DF), i cili është shprehur, se është i gatshëm të diskutojë lidhur me propozimin e qeverisë së pakicës, vetëm nëse DPS nuk ndikon në lëvizjet politike.

Vetë Krivokapiç e quajti qeverinë e pakicës mashtrim, ai mbështetet nga disa ministra që e kanë akuzuar Abazoviçin për tradhti, ndërsa të tjerët e kanë mbështetur udhëheqësin e URA. Kryeministri ka kërkuar ndërkohë nga Kuvendi zëvendësimin e Abazoviçit, si dhe shkurtimin e mandatit të vet dhe kalimin në zgjedhje të parakohshme. URA dhe opozita e quajtën këtë “lëvizje të dëshpëruar” dhe paralajmëruan se nuk do ta mbështesin.

Kryetari i Parlamentit dhe kryetari i demokratëve Aleksa Beçiç, formimin e qeverisë së pakicave me mbështetjen e DPS e quajti “tradhti me përmasa epike”, duke akuzuar URA-n se po kthen në lojë regjimin e kaluar. Menjëherë filluan protestat e mbështetësve të qeverisë në disa qytete dhe bllokimet i trafikut. Është paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë, aktualisht për to nuk bëhet thirrje nga partitë, por qytetarët mbidhen me vetëiniciativë.

“Të gjithë kanë të drejtë për protesta paqësore dhe nuk kam asgjë kundër kësaj, por këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë mashtrim të votuesve, sepse qytetarët në zgjedhjet e 30 gushtit 2020 votuan për zëvendësimin e DPS, ndryshimin e ligjit për lirinë e fesë dhe fillimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjitha këto ne i kemi bërë. Ata votuan edhe që Mali i Zi të lëvizë shpejt drejt Bashkimit Evropian dhe aty hasëm në bllokadë, ndaj na u desh të reagojmë dhe të ofrojmë zgjidhje”, shpjegon Konatar nga URA.

Analisti Janjusheviç thotë se nuk e di se sa kapacitet dhe potencial kanë qytetarët për protesta intensive, që do të krijonin presion. Përsa i përket “rishkrimit të vullnetit elektoral”, ai thotë se pakkush mund të priste realisht që një vit e gjysmë pas zgjedhjeve, do të vinte një situatë, që qeveria e pakicës të mbështetej nga DPS, me Gjukanoviçin në krye.

Konatar thotë megjithatë se DPS nuk do të jetë pjesë e qeverisë së pakicës dhe nuk ka kthim në pushtet të kësaj partie.

„Mbështetja nga DF do të nënkuptonte një punë më të relaksuar të kësaj qeverie në fushat prioritare, dhe gjithsesi ruajtjen e pozicioneve të DF „në thellësi” të administratës shtetërore. Nga ana tjetër mbështetja e DPS me Gjukanoviçin në krye është si një shpatë e Damokleut mbi kokën e qeverisë së pakicës. DPS pa Gjukanoviçin do t`ì jepte një notë politike krejtësisht tjetër kësaj qeverie dhe do të tregonte gatishmërinë për reforma të partisë më të madhe politike të Malit të Zi”, thotë Janjusheviç.

Fati politik i Gjukanoviçit

Në spekulimet e muajve të fundit lidhur me qeverinë e pakicës si një nga elementët e marrëveshjes është përmendur edhe se Gjukanoviçi do të largohet nga posti i kryetarit të DPS dhe se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2023. Në fund të vitit të kaluar Gjukanoviçi la të kuptohej se gjatë gjysmës së parë të këtij viti mund të ketë ndryshime në drejtimin e partisë së tij, por nëse do të kandidojë sërish për kryetar të shtetit, nuk është deklaruar.

Konatar beson se do të ishte mirë që politikanët, që janë simbol i viteve 1990, të shkojnë politikisht në pension. “Mendoj se do të ishte mirë si për DPS ashtu edhe për skenën politike në Mal të Zi, sepse kjo do ta lehtësonte atë dhe do të mundësonte ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes brezit të ri të politikanëve”. “Tërheqja e Gjukanoviçit nga kreu i DPS do të ishte një hap i madh në këtë drejtim”, thotë Konatar.

Janjusheviç mendon se Gjukanoviç është dashur të tërhiqej tashmë nga arena politike si kryetar i DPS dhe të lehtësonte kështu këtë projekt të qeverisë së pakicës dhe të hapte procese reformuese në partinë e tij. “Mendoj se në këtë lojë shahu politik Gjukanoviçi fillimisht pret formimin e qeverisë të pakicës dhe më pas pason ose dorëheqja e tij ose një mënyrë tjetër tërheqjeje. Mendoj se ai me siguri nuk do të kandidojë për president të Malit të Zi në vitin 2023”, përfundon Janjusheviç.DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA