Iu kishin marrë dokumentet dhe u kërcënonin familjarët/ Pranga 40-vjeçarit nga Tirana dhe 2 të huajve, mbanin 30 emigrantë të izoluar në një banesë në Laprakë

23/01/2022 09:31

Finalizohet operacioni policor i koduar “Just in time”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona, mes të cilëve dy shtetas të huaj pasi mbanin në mënyrë të paligjshme dhe nën kërcënim në një banesë emigrantë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe me Sektorin e Forcës Operacionale, zbuluan se në një banesë të përshtatur si hotel, në zonën e Laprakës, po mbaheshin të mbyllur rreth 30 persona, emigrantë të huaj. Ata organizuan dhe finalizuan operacionin “Just in time”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– M. K., 40 vjeç, banues në Tiranë, M. E., 26 vjeç, banues në Tarablos, Libi, dhe Z. D., 27 vjeç, banues në Casablanca, Marok, për veprat penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Në banesën e shtetasit M. K., në katin e parë, të tretë dhe te katërt, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 30 persona të shtetësive të ndryshme, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët mbaheshin në këto dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke ju marrë mjetet e komunikimit dhe duke i kërcënuar familjarët në vendet e origjinës, për kryerjen e pagesës së transportit të këtyre shtetasve, drejt vendit tonë.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 14 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel