“Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti”, botimi i veçantë me rrëfimet e panjohura për jetën e aktores së madhe

22/01/2022 14:49

“Tinka Kurti – Ditari i një bashkëshorti” është një botim i veçantë, mes ditarit dhe albumit fotografik, i sjellë me shumë finesë për lexuesin nga autorja Anila Mema.

Është një ditar i rrallë, me kujtime e rrëfime të panjohura që datojnë deri 40 vjet më parë nga jeta skenike e aktores së famshme shqiptare, e shoqëruar edhe me fotografi origjinale. Por, ky botim i rrallë bëhet edhe më i veçantë për faktin se është ditar i mbajtur nga i shoqi i aktores “Nderi i Kombit”, Tinka Kurti.

Në promovimin e veprës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi artisten e madhe, Tinka Kurti, frymëzim për të gjithë brezat, që i dha shumë artit shqiptar përmes punës dhe sakrificës. “E ke ndriçuar atë rrugë! Sot je një grua e nderuar dhe përulemi me shumë respekt para teje. Na ke frymëzuar të gjithëve – na ke treguar se njeriu edhe pse rrëzohet, ngrihet përsëri për të ecur përpara. Këmbëngulja jote është një frymëzim për gjithë brezin e ri të aktorëve. Të jam shumë mirënjohës për këtë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë mbështetjen për artin, ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në shenjë vlerësimi për profesionalizmin, talentin dhe bukurinë që i fali skenës dhe ekranit shqiptar, i dorëzoi artistes së madhe Tinka Kurti një objekt simbolik në formën e një copëze shkëmbi.

Jemi bashkuar për të celebruar këtë moment për një njëri të veçantë, për një muzë për të gjithë ne. Tinka ka guxuar shumë! Për mua, të ndash kaq shumë nga vetvetja dhe ta bësh këtë në mënyrë publike, përtej roleve që ke bërë më parë, përtej çdo gjëje të kaluar nëpërmjet ekranit dhe teatrove, në çdo moment që ke qenë afër publikut, në të gjitha format ti ke dhënë nga vetja jote, por të ndash kaq shumë nga vetvetja, duke nxjerrë mendimet e tua të mbrëmjes me bashkëshortin, çdo mendim intim, çdo mendim të sinqertë e të pastër, do guxim. Vetëm një grua e guximshme mund ta bëjë këtë dhe jam vërtetë krenare që ti je shembull për gra e për vajza”, tha Margariti.

Aktorja Tinka Kurti vlerësoi secilin prej atyre që kontribuan për realizimin e botimit. “Ju falenderoj për këtë mrekulli që keni bërë! Nuk e kisha menduar kurrë se do të bënit një mrekulli kaq të madhe”, u shpreh ylli i skenës dhe kinematografisë shqiptare.

Autorja e botimit, gazetarja Anila Mema, tregoi se është një ditar i rrallë në llojin e vet, një gërshetim prej shpirti e fryme, një përzierje e plotë ndjesie, madhështie, sinqeriteti, emocioni, dëshire, përjetësie, pikëllimi, intimiteti, suksesi a dështimi.

Palokë Kurti e ka mbajtur ditarin e jetës së artistes sonë, me vullnet të pashoq dhe me largpamësi, duke e ditur se vite më vonë, shkrimet e tij do të merrnin tjetër peshë. Ka shkruar për pjesën më të madhe të roleve të hershme, ato role të realizuara gjatë viteve të para të karrierës së saj, që nga vitit 1950 kur u bë pjesë e shfaqjes “Përbysja” në Teatrin Migjeni të Shkodrës, e deri në vitin 1990 në shfaqjen “Franku V”. “Ditari i një bashkëshorti” është një ditar që flet qartazi në mënyrë kronologjike për çdo rol, skene a filmi ku ka luajtur “Artistja e Popullit” Tinka Kurti, një titull ky që preferon më shumë nga gjithë të tjerët.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA