Gjermania, papritur “në krah të Rusisë”? Bllokon armatosjen e Ukrainës nga Estonia

22/01/2022 16:32

Në një lëvizje të papritur, Gjermania po e pengon aleaten e Nato-s, Estoninë që t`i japë mbështetje ushtarake Ukrainës.

Berlini ia refuzoi estonezëve lejen për të eksportuar armë me origjinë gjermane, shkruan The Wall Street Journal.”Gjermania po heziton shumë që të lejojë dërgimin e armëve për ne”, i tha medias prestigjoze ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleksiy Reznikov.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane shpjegoi se vendimi për eksportimin e armatimeve është rezultat i një politike të gjatë.

“Parimi që rregullon eksportet e armëve është gjithmonë i njëjtë, qofshin ato drejtpërdrejt nga Gjermania apo nga vende të treta, asnjë leje nuk është lëshuar në këtë fazë”, sqaroi ai, duke shtuar se “nuk është e mundur të vlerësohet rezultati i procesit në këtë moment”.

Estonia po lobon fort që Gjermania të ndryshojë kursin në mënyrë që të mund t’i dërgojë Ukrainës Howitzer D-30. Armët sovjetike u lanë në Gjermani pas ribashkimit të saj përpara se të eksportoheshin në Finlandë dhe më vonë në Estoni, thuhet në raportin e  Wall Street Journal .

Ndryshe nga anëtarët e tjerë të NATO-s, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, Gjermania ka refuzuar t’i ofrojë Ukrainës armë në mes të tensioneve me Rusinë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, SHBA-ja ka dhënë më shumë se 400 milionë dollarë ndihmë sigurie për vendin e rrezikut nga konflikti.

Por Berlini zyrtar tregohet i kujdesshëm në shmangien e provokimit të Moskës, ndërsa kujton edhe historinë e vetë mizorive naziste në rajon gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel