Zgjedhjet për kryetar bashkie në 6 mars/ Dalin emrat e parë, kush do kandidojë për PS-në? Dhe grupet Basha-Berisha nisin diskutimet

21/01/2022 19:02

Një ditë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore, nuk kanë vonuar të shfaqen edhe emrat e kandidatëve për kryetar bashkie në Durrës.

Mes tyre, më i sigurti është ai i Emiriana Sakos, e cila pasi ka drejtuar e vijon të drejtojë Durrësin përgjatë një periudhe të vështirë pas tërmetit, ka gjetur mbështetjen e strukturave të PS-së për të kandiduar në zgjedhjet e 6 marsit.

Ndërkohë ende nuk dihet nëse këto zgjedhje do të afrojnë grupimet Basha-Berisha brenda PD-së, për të dalë me një kandidaturë të vetme në Durrës. Do të bashkohen apo do të copëzojnë votën e demokratëve me kandidatë të ndryshëm, mbetet të sqarohet në ditët në vazhdim.

Megjithatë emrat e parë brenda opozitës së përçarë kanë nisur të përfliten në dy kampet e demokratëve lokalë. Komisioni i Eithemelimit të PD-së ka çelur procesin e përzgjedhjes së kandidatëve ku emri më i diskutuar deri tani dhe me mbështetje mes demokratëve është ai i inxhinierit urbanist Ardian Muka, ndërsa në degën e PD-së përflitet si kandidat për bashkinë e Durrësit Luan Hoti, aktualisht kryetar i PD-së dega Durrës, i emëruar nga Basha pas dorëheqjes së deputetit Ferdinand Xhaferraj.

Në zgjedhjet vendore 2019, PD nuk paraqiti asnjë kandidaturë. Përballë kandidates socialiste Valbona Sako, që u zgjodh kryetare e bashkisë dhe dha dorëheqjen pak muaj më vonë, ishte Valbona Sakollari, kandidate e Bindjes Demokratike.

Top Channel