Nis bora në Kosovë, autoritetet: Të gjitha rrugët janë të kalueshme!

21/01/2022 15:27

Pavarësisht reshjeve të dendura të dëborës të nisura që prej së enjtes, Ministria e Infrastrukturës në Kosovë deklaroi se të gjitha rrugët janë të qarkullueshme.

Gëzim Osmani, Shef i Mirëmbajtjes së Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, tha për mediat vendse se sipas informacioneve nga tereni nga menaxherët e mirëmbajtjes gjendja e rrugëve në vend është e mirë.

“Të gjitha rrugët janë të hapur për qarkullim. Pas reshjeve të borës kompanitë e kontraktuara nga ana e ministrisë ndërhynë në kohë për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës me qëllimin të garantohej siguria e kalimit gjatë gjithë kohës”, u shpreh ai. Osmani shtoi më tej se në rajonet malore ka pasur më shumë reshje, megjithatë me pak kujdes të shtuar, edhe atje situata është nën kontroll.

“Kompanitë gjatë ditës do të punojnë në përmirësimin e gjendjes së rrugëve për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve”, bëri të ditur ai. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi edhe se cilat rrugë nuk mund të kalohen nëse makinat nuk janë të pajisura me zinxhirë.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njoftoi se pas ditëve me diell dhe temperature të këndshme thuajse pranverore, gjendja meterologjike do të ndryshonte ndjeshëm, si pasojë e prezencës së masave të ftohta të ajrit me origjinë polare, me temperaturat që pritet të zbresin deri në minus 7 gradë Celsius.

Top Channel