Këshilla për banorët/ Çfarë duhet të bëjmë para, gjatë dhe pas bllokimit nga dëbora

21/01/2022 14:18

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile  ka dhënë disa këshilla praktike për banorët e zonave ku parashikohen reshje bore dhe temperatura shumë të ulëta.

Çfarë duhet të bëjmë para bllokimit nga dëbora:

-Të sigurojmë ushqimin për familjen dhe kafshët shtëpiake të paktën për dy javë.

-Të sigurojmë nga ngrirja rrjetin e tubacioneve të ujit të pijshëm.

-Të sigurojmë mjetet e ngrohjes për të gjithë periudhën e dimrit.

-Të pastrojmë vazhdimisht çatitë e banesave nga shtresat e dëborës.

-Të sigurojmë veshje të trasha për fëmijët dhe të moshuarit.

-Të kemi një paketë të ndihmës së shpejtë për çdo rast emergjent.

-Të sigurojmë një aparat telefoni celular dhe një bateri për atë.

-Të kemi numrat e shërbimeve emergjente një nga telefonat e linjave celulare.

-Të sigurojmë një mjet ndriçimi me bateri, të pavarur nga rrjeti elektrik.

Çfarë duhet të bëjmë gjatë bllokimit nga dëbora:

-Të sigurojmë vazhdimisht ngrohje të banesës.

-Të sigurojmë ndriçim të pandërprerë në dhomën ku kemi të moshuar, fëmijë apo persona të sëmurë.

-Të vendosim kontakte me të afërmit dhe t’i ndihmoni në rast fatkeqësie.

-Të mbajmë të hapur rrugën në oborret brenda shtëpisë.

-Të kontrollojmë vazhdimisht kafshët shtëpiake dhe të sigurojmë ngrohjen për ambientet e tyre.

-Të jemi të informuar në çdo kohë për situatën dhe veprimet e ekipit të menaxhimit të emergjencës në bashkinë tonë.

-Të ndihmojmë ekipet e emergjencës kur kjo gjë të kërkohet nga drejtuesit e tyre dhe njësitë vendore.

Çfarë duhet të bëjmë pas bllokimit nga dëbora:

-Të pastrojmë çatitë e banesave nga dëbora.

-Të sigurojmë të afërmit nga rrëshqitja në dëborë.

-Të ndihmojmë në hapjen e rrugëve këmbësore dhe automobilistike.

-Të punojmë së bashku me komunitetin për të ndihmuar ekipet e emergjencës.

-Të krijojmë kushte për strehimin e ekipeve të emergjencës, kur kjo gjë kërkohet nga drejtuesit e tyre dhe të njësisë vendore.

-Të informojmë ekipet e emergjencës për familjet që kanë probleme në territorin e lagjes sonë.

-Të ndihmojmë të sëmurët dhe personat me aftësi të kufizuara.

-Të mos pengojmë veprimet e forcave të emergjencës në realizimin e objektivave të tyre për dhënien e ndihmës për komunitetin.

Top Channel